Kontraceptivët oral: Si duhet të përdoren dhe a kanë efekte anësore?

Kontraceptivët oral sot janë pjesë e përditshmërisë së shumë vajzave dhe grave të cilat i konsumojnë atë qoftë për t’u mbrojtur nga shtatzanitë e padëshiruara, qoftë për arsye mjekësore. Viti 1957 shënon vitin kur për herë të parë aprovohen kontraceptivët oral nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) me qëllim që të rregullojnë ciklin menstrual, kurse pas 3 vitesh Administrata i aprovon kontraceptivët Enovid për mbrojtje nga shtatzania. Shpikja e kësaj pilule të vogël në gjysmën e dytë të shekullit 20 i dha grave në dorë forcën për të vendosur mbi trupin e tyre, pasi që tash më ato mund të planifikonin se kur do të merrnin epitetin nënë.

Por nëse shohim botën e rrjeteve sociale, shumë vajza dhe gra flasin për efektet e ndryshme negative të cilat i kanë pasur nga përdorimi i këtyre pilulave, shpesh duke përmendur uljen e dëshirës seksuale, respektivisht libidos si efekt anësor nga konsumimi i kontraceptivëve oral. A munden realisht kontraceptivët oral të ndikojnë në libidon tonë? Për të marrë përgjigje mjekësore, “Mollëkuqja” ka biseduar me endokrinologen Rrezearta Elezin dhe gjinekologun Arijan Alili.

Kontraceptivët oral janë një kombinim hormonal mes estrogjenit dhe progesteronit, si dhe komponentës antiandrogjene, shpjegon Rrezearta. Mënyra se si veprojnë është duke inhibuar ovulacionin (procesin e formimit te qelizës vezë gjatë ciklit menstrual), duke bërë ndryshime edhe në mbështjellësin e mbrendshëm cervikal, të mitrës dhe të mobilitetit të tubave mitrale me ç’rast e ulin mundësinë e implantimit të embrionit. Por duke qenë se libidoja është ndjenjë individuale, matja e saj përgjatë përdorimit të kontraceptivëve oral është bërë përmes anketave, vazhdon Elezi.

“Me qenë se nuk ekziston një metodë e mirëfilltë kuantitative për të determinuar efektin e kontraceptivëve te libidoja (duke marrë parasysh se libido është një ndjesi individuale), janë bërë punime shkencore epidemiologjike, me anketa, rreth libidos dhe përdorimit të kontraceptivëve dhe në një studim të fundit është raportuar se 43% e grave në përdorim kanë treguar për reduktim të libidos. Punimet shkencore këtë pasojë ia kanë atribuar zvogëlimit të androgjenëve qarkullues (testosteroni dhe androstendioni), të cilat hormone janë përgjegjëse për dëshirën seksuale.”

Ndërhyrja përmes pilulave në punën e hormoneve do të sjell efekte anësore të padëshiruara, thotë Rrezearta, por se a do t’i përjetoj një grua këto efekte, cilat nga këto efekte anësore do të shfaqen apo edhe në çfarë mase, varet nga vet individi. Sipas saj, përdorimi i kontraceptivëve dhe çdo forme tjetër e pilulave që merren për manipulime hormonale sjellin me vete një sasi të mirë të efekteve të padëshiruara.

“Me qenë se disponimi, perceptimi i vetvetes dhe rrethit, vetëbesimi, dëshira seksuale dhe perspektiva janë pasojë direkte e lojës hormonale dhe të neurotransimitoreve neurologjik, atëherë çdo ndryshim në sasinë e hormoneve, dhe lidhjen adekuate të hormonit me receptorin përkatës do sjell ndryshime të tipit fiziologjik, si akne, shtim të koagulitetit të gjakut (mpiksjes), ndryshime të shendetit të flokëve, dhe ndryshimet psikologjike. Mirëpo të njejtat do të mvaren shumë nga personi në person, varësisht nga numri dhe afiniteti i receptoreve në fjalë.”

Përshkrimi i pilulave nga ana e gjinekologëve dhe endokrinologëve bëhet në raste të ndryshme si:

  • Çrregullimet e ciklit menstrual të natyrave të ndryshme
  • Çrregullimet e lëkurës dhe të flokëve për shkaqe të çrregullimit hormonal
  • Shkaku i orevenimit të shtatzanive të padëshiruara.
  • Rastet e Sindromës së Vezorëve Policistike.

 

Sipas gjinekologut Arijan Alili, kontraceptivët oral përveç prevenimit të shtatzanisë së padëshiruar gjejnë përdorim edhe te moshat e reja, respektivisht adoleshentët ku kemi simptoma të sindromës PCOS (Sindroma e Vezorëve Policistike). Ai pohon se kontraceptivët nuk kanë vetëm efekt për parapengimin e shtatzanisë mirëpo kanë efekt edhe për mirëmbajtjen e statusit hormonal. Sipas tij, kur koraceptivët oral merren në mënyrë të rregull dhe sipas udhëzimeve, efikasiteti i tyre është 99%.

Përshkrimit të kontraceptivëve oral gjithmonë i paraprijnë analiza përkatëve të gjakut në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i vajzave dhe grave. Alili thotë se së fundi pjesë e praktikës janë bërë edhe tjera testime para se të mund të fillohet konsusmimi i kontraceptivëve.

“Në praktikën tonë të përditshme ne u sugjerojmë pacientëve kontraceptiv oral, mirëpo paraprakisht duhet të kemi një pasqyrë fiziologjike të pasqyrës së gjakut. Zakonisht para planifikimit për përdorim të kontraceptivëve vajza/gruaja duhet të ketë një pasqyrë normale të gjakut, ndërsa vitet e fundit janë bërë pjesë e praktikës edhe analizat rreth mpiksjes së gjakut me D-dimerat, ultrasonografia e gjirit si dhe statusi lipidik. Nëse kontraceptivët oral i përshkruajmë si terapeutik te sindroma e PCOS-së, atëherë patjetër duhet paraprakisht të kemi bërë analizat hormonale. Përdorimi i kontraceptivëve nuk duhet asnjëherë të rrezikojë shëndetin e vajzës apo gruas.”

Arjan Alili numëron 7 efekte anësore të cilat mund të paraqiten si pasojë e konsumimit të kontraceptivëve oral por jo vetëm:

  • Tensioni i lartë i gjakut
  • Risk nga mpiksja e gjakut dhe atak kardiak (te gratë me mbipeshë)
  • Risk nga karcinomi i gjirit
  • Ndryshim i disponimit
  • Stres
  • Depresion
  • Shtimi i peshës
  • Migrena dhe
  • Çrregullime të ciklit menstrual.

 

Organizimi i çdo vajze dhe gruaje është unik dhe i ndryshëm nga çdo organizëm tjetër: çfarë mund të funksionojë për dikë, për dikë tjetër mund të jep efekte negative, prandaj kontraceptivët oral gjithmonë duhet të merren pasi që mjeku kompetent t’i ketë përshkruar duke u bazuar në nevojat individuale.

"Овој материјал е целосно или делумно финансиран од UK International Development и Фондацијата Kvinna till Kvinna, кои не мора да се согласуваат со мислењата изразени во него. За содржината е одговорен авторот."

Друго