Hulumtim nga Mollëkuqja. Dizajni: Vigan Demiri
Hulumtim nga Mollëkuqja. Dizajni: Vigan Demiri

Hulumtim: Rritje e raportimit të rasteve të dhunës gjinore dhe seksuale në Pollog

Hulumtimi i Klinikës Juridike “Emine Zendeli” të UEJL-it në bashkëpunim me Qendrën për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” ka zbuluar se rastet e dhunës në familje dhe dhunës seksuale në rajonin e Pollogut kanë shënuar rritje, ndërsa vajzat e mitura janë viktimat më të goditura. Mospërputhjet mes të dhënave dhe mungesa e koordinimit mes institucioneve tregojnë se sistemi aktual i mbrojtjes nuk po funksionon siç duhet.

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, sot u prezantua hulumtimi i titulluar ‘Gjendja e dhunës në familje dhe dhunës seksuale 2022-2024 në rajonin e Pollogut’.

Analiza tregon se gratë dhe vajzat janë viktimat më të shpeshta të këtyre formave të dhunës.

“Veçanërisht shqetësues është rritja e numrit të vajzave të mitura viktima të dhunës seksuale, më e shprehur në vitin 2024. Mungesa e të dhënave më të detajuara, si dhe bashkëpunimi i kufizuar ndërinstitucional, e zvogëlojnë efektivitetin e politikave për mbrojtje dhe e vështirësojnë monitorimin e rasteve”, tha autorja Blerta Ahmedi.

Të dhënat e marra nga Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale – Gostivar tregojnë se gjatë periudhës trevjeçare janë regjistruar 92 raste të dhunës në familje, ku të gjitha viktimat kanë qenë gra.

“Ky fakt konfirmon përhapjen e lartë të viktimizimit me bazë gjinore në këtë rajon. Edhe pse nuk janë evidentuar raste të dhunës seksuale, kjo nuk mund të interpretohet si mungesë e saj, por më së shumti si rezultat i identifikimit të pamjaftueshëm, frikës nga raportimi ose mosbesimit ndaj institucioneve. Mungesa e të dhënave për formën e dhunës, moshën e viktimave dhe llojin e mbështetjes institucionale thekson nevojën për avancimin e sistemit të evidentimit dhe shkëmbimit të informacionit”, tha bashkëautorja Arta Mero.

Në Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale – Tetovë, me gjithsej 214 raste të regjistruara, vërehet një rritje e konsiderueshme, veçanërisht në vitin 2024 kur numri ka arritur në 101 raste. Forma më e përhapur e dhunës është dhuna psikologjike, e pasuar nga dhuna fizike dhe ajo ekonomike. Evidentohet gjithashtu rritje e rasteve të dhunës seksuale (gjithsej 11), me dominim të viktimave vajza të mitura, çka tregon rrezik të shtuar dhe nevojë për masa më specifike mbrojtëse.

“Edhe pse sigurohet mbështetje psikosociale dhe juridike, mungojnë të dhëna të sistematizuara për rezultatet e procedurave, gjë që e kufizon pasqyrën e plotë mbi efektivitetin e ndërhyrjeve”, tha Blerta Ahmedi.

Qendra për referim të viktimave të dhunës seksuale e Spitalit Klinik Tetovë ka evidentuar tetë viktima gjatë periudhës së analizuar, kryesisht vajza të mitura të përkatësisë etnike shqiptare.

“Edhe pse numri i rasteve është relativisht i vogël, struktura e tyre tregon për rrezik të lartë tek fëmijët dhe për vulnerabilitet etnik brenda komuniteteve. Nevojitet promovim më intensiv dhe rritje e qasjes në shërbimet e qendrës, veçanërisht në zonat rurale dhe të margjinalizuara, ku viktimat shpesh nuk kanë mundësi për ndihmë adekuate”, tha Arta Mero.

Në Gjykatën Themelore – Tetovë, gjatë gjithë periudhës së analizuar është evidentuar vetëm një aktgjykim për dhunë seksuale. Këto të dhëna i referohen vështirësive të mundshme në identifikimin dhe procedimin e rasteve të tilla. Gjykata, po ashtu, nuk i dorëzoi informacionet e kërkuara për lëndët që lidhen me dhunën në familje, duke theksuar se sistemi AKMIS nuk mundëson për punim automatik të të dhënave për personat e dënuar për vepra penale nga kjo kategori.

“Në krahasim me këtë, Gjykata Themelore – Gostivar i dorëzoi in formacionet e kërkuara pa vështirësi, gjë që tregon nevojën për më shumë harmonizim në përdorimin e sistemeve teknike dhe në transparencën e praktikës gjyqësore”, tha Blerta Ahmedi.

Në Gjykatën Themelore – Gostivar janë trajtuar 67 raste të dhunës në familje, të gjitha të trajtuara si vepra penale, ku kryerësit kryesisht janë burra.

“Edhe këtu nuk janë evidentuar raste të dhunës seksuale, gjë që ngre pyetje rreth komunikimit dhe koordinimit me institucionet e tjera. Mungesa e informacionit për sanksionet e shqiptuara dhe marrëdhënien midis kryerësit dhe viktimës e kufizon pasqyrën mbi shkallën e mbrojtjes ligjore”, tha Arta Mero.

Regjistrimi më i detajuar u sigurua nga Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori i Punëve të Brendshme – Tetovë, me 1.667 raste të raportuara të dhunës në familje dhe 28 raste të dhunës seksuale gjatë tre viteve.

“Vërehet një trend në rritje i dhunës seksuale, veçanërisht ndaj të miturve, si dhe mungesë për puthshmërie midis numrit të rasteve të raportuara në MPB dhe regjistrimeve të institucioneve të tjera. Kjo tregon për mungesë koordinimi, shkëmbim të pamjaftueshëm të informacionit dhe mungesë të një sistemi të unifikuar monitorimi”, tha Blerta Ahmedi.

Gjatë vitit 2022 janë raportuar 15 kundërvajtje, 315 ankesa dhe 196 vepra penale, prej të cilave 153 kanë rezultuar me kallëzime penale.

Në vitin 2023 janë evidentuar 12 kundërvajtjeve, 344 ankesa, dhe vepra penale 185, prej të cilave 132 kanë rezultuar me kallëzime penale.

Në vitin 2024 janë regjistruar 14 kundër vajtje, 330 ankesa dhe 218 vepra penale, me 161 kallëzime penale dhe 57 njoftime.

Edhe pse numri i rasteve të dhunës në familje shënon një ulje të lehtë në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak, Sektori për Punë të Brendshme-Tetovë mbetet institucioni me numrin më të madh të rasteve të regjistruara në rajon.

“Analiza e përgjithshme tregon se dhuna në familje dhe dhuna seksuale në rajonin e Pollogut përbëjnë një problem të strukturuar dhe ndërsektorial me implikime të thella sociale dhe institucionale.”, tha Arta Mero.

Rastet e dhunës seksuale, edhe pse në numër më të vogël, tregojnë një trend në rritje, veçanërisht në vitet 2023 dhe 2024, me dominim të viktimave të mitura.

“Identifikimi i pamjaftueshëm i këtyre rasteve në disa institucione, siç është Qendra ndërkomunale për punë sociale në Gostivar, tregon për nevojën e monitorimit të përforcuar dhe bashkëpunimit ndërsektorial”, tha Blerta Ahmedi.

Nga Qendra për Mundësi të Barabarta theksojnë se ky raport përbën thirrje për të gjitha institucionet relevante, autoritetet lokale dhe sektorin qytetar për të forcuar bashkëpunimin, rritur llogaridhënien dhe ndërtuar një sistem funksional mbrojtjeje, ku në qendër do të jetë viktima dhe siguria e saj.

Bazuar në përfundimet e analizës për periudhën 2022-2024, propozohen masat e mëposhtme institucionale dhe ndërsektoriale, të drejtuara për tejkalimin e dobësive dhe boshllëqeve të identifikuara në sistemin e mbrojtjes: Forcimi i sistemit të evidencës dhe raportimit statistik. Koordinim ndërinstitucional dhe shkëmbim informacioni. Identifikimi i hershëm dhe mbrojtja e fëmijëve. Përforcimi i kapaciteteve të institucioneve. Përmirësimi i praktikës gjyqësore dhe qasjes në drejtësi. Promovimi dhe aksesueshmëria e shërbimeve për viktimat. Strategji lokale dhe llogaridhënie. .Forcimi i rolit të organizatave qytetare dhe partneriteti me institucionet.

Analiza përfshiu nëntë komunat që e përbëjnë rajonin planor të Pollogut: Tetovë, Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Zhelinë, Tearcë, Bogovinë, Vrapçisht, Jegunovcë dhe Bërvenicë – rajon në të cilin funksionojnë dy Qendra ndërkomunale për punë sociale (në Tetovë dhe Gostivar), dy Gjykata themelore (Tetovë dhe Gostivar) dhe Sektori për Punë të Brendshme-Tetovë.

Ky hulumtim u krye në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Mbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Hulumtimi i plotë gjendet në këtë link.

Друго