Horror: 70 mijë burra në Gjermani kanë ndarë këshilla dhe truke si të drogojnë dhe sulmojnë seksualisht gratë

Mijëra burra kanë marrë pjesë në disa grupe në ‘Telegram’ ku kanë ndarë sugjerime se si të përdhunojnë dhe të sulmojnë seksualisht gratë, ka zbuluar një hetim gjerman.

Grupet, që ndodhen në platformën ‘Telegram’, kanë deri në 70,000 anëtarë dhe kryesisht anëtarët komunikojnë mes tyre në gjuhën angleze. Sipas hetimit, ata vijnë nga disa vende të ndryshme, por kryesisht nga Gjermania.

Përdoruesit kanë pohuar në atë grup se kanë sulmuar seksualisht gra nga familja e tyre, duke përfshirë bashkëshortet, partneret, motrat dhe nënat, dhe gjithashtu kanë ndarë udhëzime me të tjerët se si të veprojnë njësoj.

Disa prej anëtarëve në këto grupe kanë ndarë edhe fotografi të sulmeve seksuale, ndërsa një pjesë tjetër kanë publikuar video të drejtpërdrejta gjatë sulmeve dhe përdhunimeve. Në një rast, një burrë gjerman ka thënë se do të drogonte gruan e tij dhe e ka ofruar atë për anëtarët tjerë në grup.

Këto akuza erdhën ndërkohë që një gjykatë në Francë, e dënoi Dominique Pelicot me 20 vjet burg për drogimin e gruas së tij Gisele dhe ofrimin e saj në internet për burra të tjerë për ta përdhunuar dhe sulmuar seksualisht.

Ai gjithashtu e përdhunonte dhe e sulmonte vetë. Sulmet në këtë rast kishin ndodhur për disa vite me radhë, bashkë me 50 burra të tjerë në këtë rast që u shpallën fajtorë.

Telegram, e themeluar nga miliarderi rus i teknologjisë Pavel Durov në vitin 2013, prej kohësh është platforma e preferuar e mesazheve për kriminelët, për shkak të refuzimit të kompanisë për të ndarë të dhëna me agjencitë qeveritare.

Hetimi, i realizuar nga transmetuesi gjerman ARD dhe ekipi i tij investigativ ‘STRG_F’, zbuloi gjithashtu se përdoruesit e grupeve kishin ndarë këshilla se si të drogonin partneret e tyre.

Kjo përfshinte postimin e linqeve të dyqaneve online, ku abuzuesit seksualë mund të blinin drogë të maskuar si produkte për flokët.

Telegram këmbënguli se ndërmerr masa kundër grupeve të tilla. Në një deklaratë, kompania tha: “Telegram ka një politikë zero tolerancë ndaj keqpërdorimit të platformës së saj. Të gjithë përdoruesit e kapur duke vepruar kështu do të bllokohen menjëherë.”

Gjatë hetimit njëvjeçar të ARD-së, disa grupe u deaktivizuan, por përdoruesit shpesh merrnin linqe për t’u bashkuar me grupe të reja.

Hetuesit në Gjermani thanë se vitet e fundit kanë pasur disa suksese në bindjen e Telegram-it për të ndarë informacione të lidhura me hetime për terrorizëm dhe përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve.

Durov, pronari i ‘Telegram’ ishte arrestuar në Francë në gusht, me akuzën se nuk kishte marrë masa për të trajtuar shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme. Ai i ka mohuar akuzat.

Aktualisht në arrest shtëpiak në Paris, sipërmarrësi i teknologjisë tha më vonë se platforma e tij do të bënte më shumë për të goditur “përmbajtjet problematike”.

Друго