Fuqizimi i ndryshimit: Vizioni artistik i Doruntina Kastratit mbi pabarazinë gjinore dhe të drejtat e punës

Arti mbetet një mjet i fuqishëm për të sfiduar pabarazinë gjinore, për të përforcuar zërat e grave dhe për të riformuar narrativat kulturore. Gratë artiste vazhdojnë të ripërcaktojnë shprehjen artistike, duke dëshmuar se arti nuk ka të bëjë vetëm me estetikën, por ka të bëjë edhe me ndryshimin, rezistencën dhe transformimin.

Në Bienalen e 60-të të Venecias në vitin 2024, artistja nga Kosova Doruntina Kastrati tërhoqi vëmendje të madhe me instalimin e saj skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” me të cilin fitoi Mirënjohje të veçantë për përfaqësim kombëtar nga Juria ndërkombëtare e kësaj Bienale. Ky projekt artistik i prezantuar në Pavijonin e Republikës së Kosovës ka për fokus përvojat e grave në ekonominë e periudhës së tranzicionit, pabarazitë në vendin e punës si dhe pasojat e shfrytëzimit të punës, veçanërisht në sektorin industrial të Kosovës së pasluftës.

Instalimi i Kastratit hedh dritë mbi rrëfimet e shpeshta të anashkaluara të grave të punësuara në kushte jo të mira brenda sektorit industrial. Ajo e përqëndroi punën e saj në historitë e disa punëtoreve gra në një fabrikë të ëmbëlsirave turke në Prizren. Këto gra durojnë orë të gjata të punës së përsëritur, në këmbë, që çon në dëmtime të rënda fizike; gati një e treta e tyre i janë nënshtruar operacioneve të zëvendësimit të gjurit për shkak të natyrës së mundimshme të punës së tyre. Protezat metalike të implantuara në trupat e tyre shërbejnë si gjurmë dhe si kujtesë për orët e gjata të punës intensive përkundër pagave të ulëta.

Instalimi përmban katër skulptura metalike të pavarura, dy të modeluara sipas lëvozhgave të arrës – frut ky përbërës kyç në prodhimin e ëmbëlsirave turke (llokumeve) dhe dy të tjera të modeluara sipas protezave kirurgjikale të implantuara në trupin e punëtoreve. Këto skulptura janë të krijuara nga materiale që evokojnë si makinerinë e ftohtë të mjediseve industriale ashtu edhe implantet metalike brenda trupit të punëtoreve. Ky dualitet simbolizon aspektet dehumanizuese të punës industriale dhe sakrificat personale të bëra nga këto gra. Kastrati ka zgjedhur jo rastësisht metalin si material, sepse një prekje e vogël bën që këto skulptura metalike të vibrojnë, duke emetuar tinguj. Vizitorët mund të kalojnë përreth tyre, ti prekin, apo madje të ulen brenda skulpturave, për t’u bërë pjesë e përvojës së plotë vizuale dhe zanore, dhe njëkohësisht për t’u zhytur në rrëfimet e veprës.

Nëpërmjet shprehjes artistike, Kastrati amplifikon zërat e grave të margjinalizuara, duke i sjellë historitë e tyre nga periferia në qendër të diskursit të artit bashkëkohor. Puna e saj sfidon audiencën për të kuptuar, për të reflektuar dhe pse jo edhe për t’u përballur me pabarazitë sistematike me të cilat përballen gratë në industritë e punës, edhe atë jo vetëm në Kosovë, por gjithandej. Duke ndërthurur nganjëherë edhe historitë personale me shprehjen artistike, Kastrati kontribuon në krijimin e një hapësire ​​për dëgjim dhe reflektim kolektiv sa i përket pabarazive gjinore, të drejtave të punës dhe ndikimit të tranzicioneve socio-ekonomike në jetën e grave.

"Овој материјал е целосно или делумно финансиран од UK International Development и Фондацијата Kvinna till Kvinna, кои не мора да се согласуваат со мислењата изразени во него. За содржината е одговорен авторот."

Друго