Barazia gjinore në vendimmarrje dhe politikë ende është shumë larg standardeve evropiane.
Këtë e thekson analiza e Aleancës për Barazi Gjinore.
Sipas analizës, gratë vazhdojnë të margjinalizohen, veçanërisht në nivelin ekzekutiv dhe lokal.
Në zgjedhjet e para parlamentare në Maqedoninë e Veriut në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2001, përfaqësimi i grave në parlament ishte midis 3.3 dhe 7.5 përqind.
Kjo sfidë u adresua përmes një sërë ndryshimesh legjislative. Ligji i vitit 2002 për Zgjedhjen e Anëtarëve të Parlamentit futi një kuotë që garanton të paktën 30 përqind përfaqësim të gjinisë së nën-përfaqësuar në listat e kandidatëve.
Më vonë, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2006, u përcaktua që në çdo listë të paraqitur kandidatësh për deputetë, të paktën një nga çdo tre vende duhet t’i përkasë gjinisë së nën-përfaqësuar.
Ky mekanizëm kontribuoi ndjeshëm në rritjen e numrit të grave në organin legjislativ, veçanërisht pas vitit 2002, kur përfaqësimi u rrit nga 6.7 në 17.5 përqind, dhe më pas në mbi 30 përqind në vitet në vijim.
Në vitin 2014, ligji u përmirësua më tej me një dispozitë sipas së cilës, nëse një deputete e zgjedhur përfundon mandatin e saj, vendin e saj e zë gruaja pasardhëse në listë.
Në vitin 2015, kuota për përfaqësimin e grave në listat e kandidatëve u rrit në 40 përqind, d.m.th. të paktën 40 përqind e kandidatëve në listat zgjedhore duhet të jenë gra, gjë që është një hap tjetër drejt promovimit të barazisë gjinore në sferën politike.
Megjithatë, sipas analizës, pavarësisht këtyre kuotave, vihet re se zbatimi i tyre nuk garanton gjithmonë pjesëmarrjen efektive të grave në vendimmarrje.
Edhe pse ka gra të nominuara në listat zgjedhore, ato shpesh vendosen në pozicione me një probabilitet më të ulët zgjedhjeje, gjë që kufizon përfaqësimin e tyre aktual.
Në ekzekutiv, gratë tradicionalisht zënë më pak pozicione ministrore. Në periudhën 2017–2022, përfaqësimi i tyre arriti një maksimum prej 16.7 përqind, ose katër ministre femra në qeveri.
Situata është edhe më alarmante në nivel lokal. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga numri i përgjithshëm i kryetarëve të komunave, vetëm dy ishin gra.
Më parë, gjashtë u zgjodhën në vitin 2017, ndërsa në vitin 2009 nuk kishte asnjë kryetare grua.
“Edhe pse kuantiteti i grave në listat zgjedhore është rritur me kuota, vendosja e tyre në pozicione të pazgjedhshme dhe barrierat strukturore vazhdojnë të kufizojnë ndikimin e tyre në politikë”, thonë nga Aleancës për Barazi Gjinore.
Ata theksojnë se përveç kuotave, masa shtesë janë të nevojshme për t’u mundësuar grave të kenë një zë të barabartë në hartimin e politikave.
Ndryshe, vitin e kaluar RMV-ja bëri hap historik duke zgjedhur presidenten e parë grua.