Kod heshtjeje për viktimat e dhunës seksuale  

Vetëm për pak muaj Franca është sërish në shok, e sërish për një rast që ka të bëjë me abuzim seksual. Fillimi i procesit të dytë gjyqësor për abuzim seksual, kishte mbledhur më shumë se 460 gazetarë, nga 110 media dhe mbi 40 media ndërkombëtare.
Vetëm këto fakte tregojnë se për çfarë tmerri bëhet fjalë dhe që vjen pas rastit tjetër të rëndë asaj të Gisele Pelicot, 72 vjeçares e cila u drogua me vitë të tëra dhe u përdhunua fshehurazi nga bashkëshorti i saj Dominique Pelicot. Ai ftonte dhe burra të tjerë dhe filmonte dhunimin e bashkëshortes së tij. Rasti ngriti në këmbë Francën dhe Evropën, por tani shoqëria franceze dhe Evropa e bota po merr vesh për një rast tjetër të dhunimit seksual, edhe më të tmershëm, kësaj here të fëmijëve. Një ish mjek akuzohet se ka abuzuar seksualisht thuajse 300 fëmijë, pacienët të tij. Po, rreth 300 pacientë shumica fëmijë!

Ky konsiderohet rasti më i madh gjyqysor i abuzmit seksual nga një person ndaj fëmijëve në Francë, por me gjasë edhe në Evropë. Gjatë procesit gjyqësor u tha se i akuzuari Joël Le Scouarnec me vetëdije kishte abuzuar fëmijët. Le Scouarnec vetë kishte pranuar para gjykatës se ka bërë “gjëra të tmerrshme”. Ai përballet me akuzat se ka përdhunuar 299 pacientë, shumica gjatë zgjimit nga anestezioni ose pas kontrolleve pas operacioneve. Aktet e dhunës janë bërë në dhjetëra spitale nga viti 1989 deri në vitin 2014.

Hetuesit zbuluan rastin e tij pasi në vitin 2017 një vajzë 6 vjeçare u ankua për përdhunim dhe policia në hetimin e saj, gjeti fakte për abuzimet e tjera si dhe ditarin e tij. Si raste filmash me skenarë të pa imagjinueshëm, Le Scouarnec kishte mbajtur ditar të detajuar për viktimat. Ai kishte dokumentuar krimet e tij, emrat e viktimave, vitet e tyre, adresat madje dhe natyrën e abuzimeve. 256 viktima kishin qenë nën 15 vjeç, një rast kish qenë 1 vjeç madje.

Avokati i Le Scouarnec tha se klienti kishte pranuar shumicën e akuzave. Detajet nga procesi gjyqësor janë drithëruese. Në ditarin e tij ai e përshkruan veten si “pervers i madh” dhe “pedofil”, si dhe “jam shumë i lumtur për këtë”. Tmerri i prindërve dhe frikërat më të errta të prindërve të shkruara vetë nga dhunuesi. Por pse e vë në vëmendje edhe këtë rast dhune seksuale?

Në debatet e mëdha në Francë dhe më gjerë thuhet se për fat të keq, rastet e tilla ka tendencë të fshihen. Madje dhe në Francë. Protestuesit para gjykatës në qytetin Vannes, mbanin pankarta “Stop kodit të heshtjes”. Një student i mjekësisë tha se raste të abuzimit ka shumë por ato nuk publikohen. Ai akuzoi sistemin se i hesht rastet e dhunës, madje edhe ndaj fëmijëve. Dhe me bazë.

Imagjinoni, veç imagjinoni, ish mjeku kishte qenë i dënuar një herë në vitin 2020 për abuzimin e fëmijëve, madje duke përfshirë edhe dy mbesat e tij. Kurse në vitin 2004, FBI-ja e SHBA-ve kishte njoftuar autoritetet franceze se Le Scouarnec ishte një nga qindra francezët që përhapte në intrnet fotografi të fëmijëve të abuzuar seksualisht. Pra të gjitha shenjat kishin qenë aty, por qasja ndaj dhunës seksuale, madje edhe kur ndaj më të brishtëve, sërish sundon një lloj heshtje sistematike. Pra, protestuesit sugjerojnë se mos publikimet e rasteve të tilla për cilën do arsyeje dëmtojnë vetëm viktimat.

Sigurisht traumat e tyre janë të tmerrshme dhe pa diskutim privatësia e tyre duhet mbrojtur, por heshtja jo për hir të viktimave, por si pasojë e sistemit ka mbrojtur vetëm dhunuesit. Po te ne çfarë ndodh?

Si për rastet e dhunës në familje, dhunës me motiv gjinor, dhunës ndaj grave, ashtu edhe kur dhunohen fëmijë, tendenca është të heshtet. Ai kod i heshtjes sundon edhe këtu. Mendësia se “është turp” të merret vesh kush është viktima dhe nuk është turp të dënohet dhunuesi krijon një problem të madh shoqëror. Por kështu të dhunuarit dy herë dënohen, madje mbase edhe duke i parë dhunuesit e tyre për ditë.

Sipas statistikave dhunuesit e fëmijëve në të shumtën e rasteve janë ata që janë pranë tyre, e në vende të vogla si tonat, mund edhe të jetojnë madje shumë afër tyre. Por cila mund të jetë zgjidhja ndaj rasteve të tilla? Sigurisht ky rast, në Francë, është një rast ekstrem, por abuzimet ndodhin dhe ndaj tyre duhet reaguar. E para pa diskutim është komunikimi i lirë mes prindërve dhe fëmijëve. Të paktën mes tyre nuk duhet të ekzistojë kodi i turpit. Çdo akt dhune duhet adresuar dhe për këtë s’duhet të ketë dilemë.

Hapat e tjerë janë informimi dhe edukimi. Fëmijët duhet informuar dhe edukuar se prekjet e tepërta, afrimi i tepërt, sidomos në pjesë delikate të trupit nuk është e lejuar. Kur janë më të rritur ata duhet ta njohin e ta dinë trupin e tyre, rreziqet që mund t’u kanosen e sidomos nëse rrezikohen seksualisht. Rreziqet për dhunë seksuale dhe edukimi seksual s’duhet të jetë tabu. Hapat e tjera janë institucionet, e sidomos shkollat. Mësuesit e kualifikuar duhet të adresojnë dhunën, dhunën e të gjitha natyrave por sidomos ato seksuale. Heshtja nuk është zgjidhja. As në institucionet e arsimit s’duhet të ketë kod heshtje që më shumë do mbrojnë dhunuesit. Por mendësia shpesh nuk e lejon këtë. Kodi i heshtjes pllakos viktimat.

Ndërkohë rastet e dhunës ndodhin, ja, madje edhe në vende që konsiderohen të zhvilluara, liberale apo edhe moderne. Pra dhuna nuk zgjedh, por ajo që duhet bërë është që të ketë një përgatitje ndaj saj, sepse në të gjitha rastet, edhe në rastin në Francë, sërish më shumë vuajnë viktimat. Një prej tyre në  procesin gjyqësor tha “uroj që viktimat të marrin pak qetësi dhe dinjitet”, sidomos që sërish i duhet rikthyer ngjarjes si dëshmitar në gjykatë.

Çështja është se askush nuk duhet as ta mendojë e jo më të përjetojë tmerret si ato të rastit Le Scouarnec, si rrjedhojë nuk duhet pretenduar se rastet e tilla nuk ndodhin. Reagimet, edukimet, publikimet e rasteve duhet t’ua bëjnë me dije dhunuesve se nuk mund të mbrohen nga ai kod heshtje, që gjendet që nga familja e deri tek institucionet. Kjo pikërisht për hir të mbrojtjes së fëmijëve, brishtësisë, sepse ata veç viktima nuk duhet të jenë, viktima të çfarë do lloj dhune. Ndërkohë nëse gjendet fajtor Le Scouarnec, mund të marrë dënimin maksimal që është 20 vjet.

Vendimi pritet të merret në qershor!

"Овој материјал е целосно или делумно финансиран од UK International Development и Фондацијата Kvinna till Kvinna, кои не мора да се согласуваат со мислењата изразени во него. За содржината е одговорен авторот."

Друго