Në një botë ku barazia gjinore mbetet ende një sfidë, ‘Mollëkuqja’ synon të sjellë në vëmendje çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e grave dhe vajzave. Për këtë, zhvilluam një bashkëbisedim me Arbnora Aliu Vejseli, doktorante e shkencave edukative në Universitetin e Zyrihut dhe ligjëruese e lëndëve inkluzion dhe mësim inkluziv në shkollën e lartë pedagogjike FHNW. Nora ndan perspektivat dhe përvojën e saj mbi barazinë gjinore në edukim dhe shoqërinë shqiptare dhe atë zvicerane.
- Duke pasur parasysh faktin se je doktorante e shkencave edukative në Universitetin e Zyrihut, si e përkufizon konceptin e barazisë gjinore në fushën e edukimit dhe në shoqëri në përgjithësi?
Ne ende nuk kemi barazi gjinore, kjo është një fakt. Nëse shikojmë shifrat në nivel botëror, gratë ende diskriminohen në disa nivele, duke filluar nga tregu i punës. Gratë janë veçanërisht të diskriminuara në tregun e punës. Një nga shkaqet është lindja e një fëmije. Nuk mund të jetë e pranueshme që lindja e një fëmije të bëhet një disavantazh për një grua. Gratë i kanë rrogat mesatarisht më të ulëta dhe kjo ndodh në të gjithë botën. Për më tepër, gratë janë më shpesh viktima të dhunës. Këto dhe shumë të tjera janë pasojë e një shoqërie patriarkale, ku burrat mbajnë një rol dominues në fusha politike, ekonomike dhe shoqërore. Këtu flasim për marrëdhënie pushteti, të cilat janë të dukshme çdo ditë, por që fatmirësisht kanë ndryshuar historikisht, megjithatë nuk e kanë arritur barazinë gjinore.
- Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen gratë dhe vajzat në sistemin arsimor sot?
Gratë dhe vajzat përballen me pabarazi edhe në sistemin arsimor. Në lidhje me prejardhjen, socializimi në familje luan një rol të madh që para fillimit të shkollës. Ende sot, burrat dhe gratë mbështeten ndryshe që nga fëmijëria e hershme kur bëhet fjalë për arsimin. Pastaj, me hyrjen në shkollë, bëhen dallime që në fillim. Për shembull, pritshmëritë e mësimdhënësve janë një pikë kyçe. Ata i dallojnë djemtë dhe vajzat në sjellje dhe në procesin e të mësuarit. Kjo shkon deri aty sa disa lëndë shkollore ende lidhen me gjininë. Sjellja e djemve shihet më shumë si e egër dhe hiperaktive, ndërsa nga vajzat pritet të jenë të qeta. Sa i përket aftësive në të mësuar, djemtë vlerësohen më shumë në lëndët matematikore dhe shkencore, ndërsa vajzat në gjuhë. Ky fenomen vazhdon deri në universitet dhe reflektohet në zgjedhjen e degëve të studimeve. Nuk është rastësi që më shumë burra studiojnë lëndë matematikore dhe shkencore.
Megjithëse situata është përmirësuar vitet e fundit, ende nuk është e barabartë. Në Zvicër, për shembull, ende kemi më shumë mësuese në shkollat fillore sepse është një degë studimesh që zgjidhet më shumë nga gratë. Kjo ka lidhje edhe historikisht. Më parë nuk ishte e zakonshme që gratë të studionin në universitet, kështu që shansi i vetëm ka qenë shkolla e lartë e pedagogjisë. Ka qenë hapi i parë për gratë që të ndjekin një rrugë akademike.
Nuk e harroj kurrë: gjatë studimeve kam pyetur një studente që ka qenë mbi 50 vjeç për motivimin e saj për të studiuar në universitet. Më tregoi se, kur ishte 18 vjeçe dhe kishte përfunduar gjimnazin, babai i saj i kishte thënë: “Ke dy opsione: martesa ose shkolla e lartë e pedagogjisë.” Ajo zgjodhi shkollën e lartë, por gjithmonë e kishte penguar fakti që nuk pati mundësinë të përfundonte studimet në universitet. Kështu që, në moshë të madhe, vendosi të fillojë studimet e masterit për shkencat edukative në Universitetin e Zyrihut.
- Si ndikon edukimi në perceptimet dhe stereotipet gjinore? A po shohim përmirësime në këtë aspekt?
Stereotipet do të ekzistojnë gjithmonë, por ato gjithashtu ndryshojnë me kohën. Megjithatë, stereotipet gjinore janë shumë të rrënjosura thellë. Prandaj është edhe më e rëndësishme që t’i trajtojmë këto çështje me fëmijët që në moshë të vogël. Është e rëndësishme t’u mësojmë atyre se njerëzit janë të ndryshëm dhe se të fusësh dikë në kategori ose të përjashtosh dikë është e gabuar. Fëmijët e kuptojnë këtë shumë herët.
Në edukimin e tyre, ne duhet t’u mësojmë fëmijëve pranimin e të tjerëve, pavarësisht gjinisë, ngjyrës së lëkurës, religjionit, gjuhës. Në këtë mënyrë, mund të luftojmë edhe kundër stereotipeve.
- A mendon se gratë shqiptare përballen ende me barriera strukturore dhe sociale për avancim në karrierë? Nëse po, cilat janë disa prej tyre?
Natyrisht. Gratë duhet të luftojnë. Siç thashë, tregu i punës në radhë të parë nuk është i përshtatur për gratë. Ka shumë pak profesione që i mbështesin gratë ose që janë disi miqësore për familjen. Mbi të gjitha: sa më e lartë të jetë pozita, aq më e vështirë bëhet për gratë.
Edhe nëse gratë vendosin të mos kenë familje, ato gjithsesi duhet të luftojnë, sepse shumicën e këtyre pozicioneve i ndajnë burrat dhe i japin kryesisht burrave të tjerë, e jo grave. Pra, problemi nuk është vetëm në strukturat ekzistuese, por edhe në mënyrën e të menduarit.
- A keni ndonjë mesazh për vajzat dhe gratë e reja shqiptare që synojnë të arrijnë sukses në fushën akademike dhe profesionale?
Në fakt, jo, sepse e di që gratë e reja shqiptare janë jashtëzakonisht ambicioze dhe kanë shumë fuqi. Vetëm mund të them: vazhdoni kështu, sepse e di që mund të arrini gjithçka. Në fakt, kam një mesazh për familjet, veçanërisht për anëtarët meshkuj të familjes: mbështesni vajzat, motrat, nënat, tezet, hallat, kushërirat dhe shoqet tuaja. Është edhe detyra juaj të luftoni për drejtësi gjinore!
Biseda me Nora Aliun na dha një pasqyrë të qartë mbi sfidat dhe përparimet në barazinë gjinore në edukim dhe shoqëri. Pavarësisht progresit, mbetet shumë për të bërë, dhe angazhimi i të gjithëve është i domosdoshëm për të arritur një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.