Kush ishin gratë që dominuan në RMV në vitin 2024? Bisedë me Dajana Malollarin dhe Agona Çupin

‘’Mollëkuqja’’ vazhdon ciklin e profileve të grave të suksesshme që përmendin suksesin e grave tjera. Në shkrimin paraprak aktorja Xaka Jonuzi Çeliku përmendi sopranon Besarta Murtezani, ndërsa ajo ka përmendur sopranon Dajana Malollari Pajaziti si grua që ka pasur suksese të njëpasnjëshme. Kjo e fundit veçon aktivitetet e dirigjentes Agona Çupi. Për më tepër se për çka u veçuan për këtë vit, më poshtë i keni aktivitetet bashkë me biografitë e shkurtra jetësore.

DAJANA MALOLLARI PAJAZITI

Veçantia e këtij viti për mua qëndron në diversitetin e programeve të paraqitura, duke filluar nga koncertet recitale, performanca operistike, deri te promovimi i muzikës sonë kombëtare, një përmbyllje dinjitoze e një viti plot emocion dhe përkushtim artistik. Mund të theksoj se ky vit ka qenë shumë i ngjeshur dhe produktiv, me një agjendë artistike të pasur dhe të larmishme, duke përfshirë performanca të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar , ku do të veçoja disa prej tyre:

– Koncertin “Tinguj në Kornizë”, veçantia e të cilit ishte ndërthurja e pjesëve të njohura të muzikës klasike me elemente të muzikës rok dhe me një orkestër profesionale siç ishte orkestra kamertale pjesë përbërëse e të cilës ishin instrumentet akustike klasike si dhe ato elektrike te muzikës rok.

– Koncertin recital në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Meridians” në Tetovë me një program të larmishëm ku janë prekur të gjitha epokat e zhvillimit të muzikës klasike operistike.

– Shtatori i këtij viti ishte ndër muajt më të ngjeshur, duke përfshirë një numër aktivitetesh të rëndësishme ndër të cilat mund të veçojmë koncertin “Via Egnatia” nën shoqërimin e Orkestrës Kamertale nga Elbasani i Republikës së Shqipërisë, koncertin recital në Tetovë dhe koncertin solistik në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Leshok Chamber Music Festival”.

– Koncerti ku performova si soliste me Orkestrën Kamertale “Oda” është njëri nga koncertet i cili mund ta karakterizojë muajin Tetor.

– Gjithashtu interpretimin e rolit të Euridikës në operën “Orfeo dhe Euridiçe” në kuadër të festivalit “Frymë Vjeshte”, rol i cili më ofroi një satisfaksion të jashtëzakonshëm, jo vetëm për rëndësinë e tij muzikore dhe dramatike por edhe për përgjegjësinë e madhe që mbart interpretimi i një personazhi kaq simbolik dhe emocionalisht kompleks.

– Koncerti në Stamboll të Turqisë ishte një nga përvojat më të veçanta të këtij viti, ku interpretova një program të pasur në gjuhë të ndryshme nga kompozitorë të njohur botëror. Ky diversitet artistik dhe kulturor më dha mundësinë të eksploroja dhe të përcillja fuqinë universale të muzikës përpara një salle të stërmbushur, me një audiencë që e vlerësonte artin dhe muzikën klasike.

– Nuk mund të rri pa përmendur edhe koncertin festiv “Nën Tingujt e Nëntorit”, organizuar nga Ansambli Muzikor i RMV në të cilin interpretimi i muzikës tonë shqiptare jo vetëm që emocionoi publikun, por edhe mua si soliste më dha një ndjenjë krenarie të thellë si përmbushje të një misioni për përcjelljen e vlerave dhe traditave të muzikës sonë të mirëfilltë kombëtare.

*Si grua të sukseshme për vitin 2024  e përzgjedh dirigjenten Agona Çupi pasi pati shumë koncerte këtë vit.

Dijana Malollari Pajaziti – Ka lindur në Tiranë ku edhe është shkolluar. Studimet e kantos i  filloi tek Prof. Eleonora Asllani, ndërsa më vonë në Liceun Artistik “Jordan Misja” tek Prof. e mirënjohur Zina Zdrava (Artiste e Merituar). Studimet Bachelor i mbaroi në Universitetin e Arteve në Tiranë, dega Kanto dhe Pedagogji Muzikore, me mesatare 10 në klasën e Prof. së njohur Edith Mihali, e cila gëzon titujt “Artiste e Merituar” dhe “ Mjeshtre e Madhe”.  Momentalisht është profesoreshë e Solokëndimit në Shkollën Shtetërore te Muzikës “Todor Skallovski-Tetoec” si edhe në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Tetovës.

Pjesëmarrëse në shumë koncerte, festivale, spektakle, seminare, si dhe fituese e shumë shpërblimeve dhe çmimeve në gara të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.  Ka punuar si mësimdhënëse e Kantos (solokëndimit), Pianos, Teorisë së Muzikës dhe Solfezhit në Tiranë.

Ka marë pjesë si soliste në koncerte të ndryshme në: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Itali, Gjermani, Zvicër, Slloveni, Kroaci, Turqi Etj. Në korrik të 2019 mbajti koncert me sopranon me Famë Ndërkombëtare INVA MULA – Korçë, Shqipëri.

Në po këtë vit mbajti koncert ne Le noirmont-Zvicër, me sopranot me Famë Ndërkombëtare Benedicte Tauran dhe Contralto Sara Mingardo. Këto suksese po veçojmë edhe pse CV-ja e saj është shumë më e gjatë.

AGONA ÇUPI

‘’Sivjet pata shumë koncerte me solistë shumë të mirë si nga vendi dhe nga rajoni, koncerte të cilat i kam shijuar shumë edhe kanë qenë bashkëpunime të bukura. Jam shumë e lumtur edhe e konsideroj sukses jo timin po një fitore të përbashkët për krejt artin muzikor shqiptar në Maqedoni themelimin e Ansamblit ne Tetovë edhe të gjitha projektet që ka arritur t’i realizojë pavarësisht që s’ka asnjë të punësuar akoma. Një aspekt shumë të bukur të profesionit që do e mbaj mend këtë vit janë koncertet për fëmije, si ‘’Pjetri dhe Ujku’’ si dhe koncerti që përgatisim për datën 27 me Talentet e rinj  të cilët do debutojnë për herë të parë si solistë në moshë të njomë. Prezantimi i muzikës klasike te të vegjëlit më ka dhënë shumë shpresë dhe vullnet për të ardhmen.

Do ta përmbyll këtë vit me një mirënjohje të thellë për të gjithë artistët me të cilët kemi ndarë skenën bashkë dhe kemi krijuar për të ofruar më të mirën tonë për publikun. E konsideroj veten shumë me fat që ndaj skenën me njerëz me të cilët jemi rritur bashkë dhe i kemi ëndërruar bashkë këto momente dhe me disa të tjerë të cilët i kam parë përpara meje dhe kanë qenë frymëzim.’’

*Si grua të suksesshme për sivjet dua të përmend regjisoren Afërdita Nuhiji me angazhime të shumta si çdo vit.

Agona Çupi – Ka lindur në Kërçovë. Diplomoi në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup (2017) në drejtimin e dirigjimit orkestral në klasën e Prof. Borjan Canev. Studimet e magjistraturës i përfundoi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup (2018) në drejtimin e dirigjimit koral në klasën e Prof. Sasho Tatarçevski. Më 2019 përfundoi masterin e dytë në “Universitetin e Ri Bullgar” në Sofje në drejtimin e dirigjimit orkestral në klasën e Prof. Najden Todorov. Momentalisht është përpara përfundimit të studimeve të doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup në drejtimin  “Interpretim muzikor dhe kompozicion – Dirigjim koral”.

Për gjatë këtyre viteve ka qenë bashkëthemeluese  e disa ansambleve në Maqedoninë e Veriut si: Orkestra Kamerale e të Rinjve (2015 / Themeluese dhe menaxhere), Kori i Femrave “Lorenc Antoni” i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup (2016 – 2018 / Bashkëthemeluese dhe dirigjente). Nga paraqitjet e deritanishme veçohen: koncerti me Orkestrën “Simfonieta” të qytetit të Sofjes, muzikali “Fiddler on the Roof” nga Jerry Bock (Asistente) produksion i Fakultetit të Muzikës në Shkup në bashkëpunim me Operën dhe Baletin e Maqedonisë, koncert me Orkestrën Harkore të Filarmonisë së Kosovës, koncerti kushtuar Lorenc Antonit me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoni, korin “Pro Ars” etj. Ka dhënë dhjetëra koncerte me Orkestrën ’’Grifon’’ me solistë të njohur nga rajoni.  Është prezantuar në disa festivale: “TEHO” – Festivali Ndërkombëtar i Koreve (Tetovë), DAM – Festivali Ndërkombëtar i Muzikës (Prishtinë) dhe në Takimin Kombëtar të Orkestrave të Harqeve në Elbasan. Ndër të tjerat ka marrë pjesë në shumë aktivitet, panele diskutimi dhe tribuna për fuqizimin dhe emancipimin e femrës shqiptare në shoqëri. Ka qenë e angazhuar si asistente, ndërsa nga viti 2022 është e angazhuar si profesoreshë me titullin docent  në Universitetin Shtetëror të Tetovës në lëndën e studios operistike dhe dirigjimit koral. Nga dhjetori i viti 2022 është e punësuar si gazetare e kulturës në Radion e Maqedonisë së Veriut – servisi i tretë. Nga qershori 2023 është anëtare e bordit drejtues të Institucionit nacional Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë ku angazhohet edhe si dirigjente.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera