Seksizmi nuk është thjesht një konstrukt shoqëror, është një strukturë e rrënjosur thellë në mënyrën se si truri ynë përpunon dhe interpreton botën. Gjersa ne shpesh flasim për diskriminimin gjinor si një forcë e jashtme, e mbjellur në institucione, politika dhe tradita; neuroshkenca dhe psikologjia zbulojnë se ai vepron po aq fuqishëm brenda nesh. Truri i njeriut, i formësuar nga kushtëzimi patriarkal i mijëvjeçarëve, nuk i vlerëson burrat dhe gratë në mënyrë reciproke dhe racionale. Ai heziton. Dyshon. Reziston.
Hulumtimet neuroshkencore duke përdorur imazherinë e rezonancës magnetike funksionale (fMRI) tregojnë se kur njerëzit vlerësojnë gratë në role udhëheqëse, amigdala e tyre, regjioni i trurit i lidhur me pasigurinë dhe frikën, aktivizohet më fort krahasuar me rastin kur vlerësojnë burrat.
Korteksi prefrontal, përgjegjës për marrjen e vendimeve, gjithashtu shfaq aktivitet të shtuar, duke treguar ngarkesë më të madhe kognitive kur i duhet të perceptojë konceptin e lidershipit femëror. Në thelb, truri tregon hezitim kur përballet me një grua në pushtet, sikur të përplasej me një kontradiktë të përvetësuar në mënyrë të pavetëdijshme.
Një studim domethënës nga Universiteti i Yale-it nxori në pah thellësinë e këtij paragjykimi. Studiuesit u prezantuan pjesëmarrësve CV të njëjta, me ndryshimin e vetëm, që ishte gjinia e kandidatit. Aplikanti mashkull u vlerësua si më kompetent dhe iu ofrua një pagë fillestare më e lartë, pavarësisht se kishte të njëjtat kualifikime si kolegia e tij femër. Ky paragjykim u shfaq si te vlerësuesit burra ashtu edhe te gratë, duke treguar se seksizmi nuk është thjesht një imponim i jashtëm, por një refleks kognitiv i mishëruar thellë në nënvetëdijen tonë.
Psikologët kanë studiuar prej kohësh paragjykimet e nënvetëdijshme, që ndikojnë në mënyrën se si e perceptojmë realitetin. Këto studime vazhdimisht kanë treguar se, pavarësisht bindjeve të tyre të artikuluara dhe te vetëdijshme, njerëzit priren t’i lidhin burrat me inteligjencën, lidershipin dhe ambicien, ndërsa gratë me butësinë, kujdesin dhe mbështetjen ndaj të tjerëve.
Historikisht, lidershipi ka qenë ekskluzivitet që u përkiste vetëm burrave dhe, si rezultat, truri ynë e ka përvetësuar këtë model si normë. Gratë përballen me më shumë skepticizëm, sepse sfidojnë një pritshmëri të rrënjosur thellë. Mendja, e trajnuar patriarkalisht me shekuj, e percepton kompetencën e tyre si një anomali.
Seksizmi nuk është i paracaktuar biologjikisht, ai kultivohet përmes socializimit, i cili me kalimin e kohës formëson mënyrën se si funksionon truri. Studimet neuroshkencore mbi neuroplasticitetin, aftësinë e trurit për t’u riformatuar në përgjigje të përvojave, tregojnë se normat gjinore ndikojnë në zhvillimin kognitiv që në moshë të re. Hulumtimet në psikologjinë zhvillimore zbulojnë se deri në moshën gjashtë vjeç, vajzat tashmë janë më pak të prira ta lidhin inteligjencën me gjininë e tyre. Ky vetë-dyshim i hershëm ka pasoja të thella, duke ndikuar te besimi në aftësitë akademike dhe aspiratat profesionale.
Ndikimi i prindërve dhe shoqërisë luan një rol kyç në këtë formësim. Studimet tregojnë se prindërit, shpesh pa e kuptuar, flasin më shumë me djemtë për shkencën dhe matematikën, ndërsa vajzat i inkurajojnë drejt inteligjencës sociale dhe emocionale. Mediat e thellojnë edhe më tej këtë paragjykim, duke i paraqitur burrat si zgjidhës problemesh dhe inovatorë, ndërsa gratë si të varura ose në role dytësore. Këto ekspozime të vazhdueshme ndikojnë në formimin e rrugëve nervore në tru, duke forcuar bindjet e nënvetëdijshme rreth gjinisë dhe aftësive.
Aspekti më bindës i neuroshkencës është dëshmia e saj se paragjykimet, megjithëse të ngulitura thellë, nuk janë të pandryshueshme. Plasticiteti i trurit lejon rindërtimin e modeleve mendore përmes ekspozimit të qëllimshëm ndaj përvojave të reja. Studimet kanë treguar se takimi me shembuj që sfidojnë stereotipet, si gratë në pozita drejtuese apo burrat në rolin e kujdestarëve, mund t’i dobësojë paragjykimet e nënvetëdijshme me kalimin e kohës.
Megjithatë, ndryshimi individual nuk është i mjaftueshëm. Janë të nevojshme ndërhyrje sistemike për të çmontuar mekanizmat që forcojnë mënyrat e mendimit të ndikuara nga gjinia. Programet e trajnimit kundër paragjykimeve, politikat e punësimit të barabartë dhe rritja e përfaqësimit të grave në pozita drejtuese nuk janë thjesht detyrime etike, por nevoja të mirëfillta neuroshkencore. Mendja përshtatet me botën që vëzhgon; ndryshimi i kësaj bote është çelësi për të transformuar paragjykimet e rrënjosura në të.
Seksizmi nuk është thjesht një ideologji abstrakte, ai është një realitet i dëshmueshëm neurologjik dhe psikologjik. Megjithatë, e njëjta shkencë që zbulon mekanizmat e tij, ofron edhe rrugën për zhdukjen e tyre. Feminizmi nuk është vetëm një lëvizje për drejtësi, por edhe një revolucion mendësie, një thirrje për të ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë dhe e përjetojmë botën, një thirrje për të vënë në pikëpyetje jo vetëm institucionet tona, por edhe instinktet tona.Truri jonë është kushtëzuar të vërë në dyshim gratë. E ardhmja qëndron në duart tona, në aftësinë dhe guximin tonë për ta çliruar atë nga ky kufizim i trashëguar.