Sextortion dhe shantazh për para duke keqpërdorur foto dhe video – të miturit gjithnjë e më shpesh viktima

Shkruajnë: Fatos Grubi dhe Marta Stevkovska

Rastet gjithnjë e më të shpeshta të dhunës seksuale në mesin e të miturve po bëhen një problem serioz dhe i përhapur gjerësisht i nxitur nga normat kulturore, dobësitë sistemike dhe kapacitetet e kufizuara institucionale për një reagim efikas. Sipas raportit të UNICEF-it edhe pse vendi jonë e ka përforcuar kornizën e tij ligjore dhe ka miratuar dokumente si Strategjia Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna boshllëqet në financim, mungesa e të dhënave cilësore dhe ofrimi i pamjaftueshëm i shërbimeve e bëjnë të vështirë zbatimin në praktikë.

Shkalla e lartë e disiplinës së dhunshme, ngacmimit dhe abuzimit online flet për një nevojë urgjente për masa preventive dhe një reagim sistemik. Një sfidë shtesë paraqet edhe mbingarkesa dhe gatishmëria e pamjaftueshme e institucioneve, sidomos qendrave të punës sociale, të cilat përballen me burime të kufizuara për trajtimin e formave komplekse të dhunës, përfshirë këtu edhe dhunën me bazë gjinore.

Ajo që shqetëson më shumë është shfaqja e formave digjitale të abuzimit – nga ngacmimi online (grooming), te prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë së fëmijëve, e deri te vënia në dispozicion të përmbajtjeve të tilla në internet për fëmijët. Predatorët e sotëm nuk kanë nevojë të jenë fizikisht të pranishëm që të mund të shkaktojnë dëm – mjafton të kenë qasje në internet dhe platformat e komunikimit për të krijuar interaksion me pasoja potencialisht të thella psikologjike dhe emocionale. Pikërisht për këtë arsye parandalimi, edukimi dhe reagimi në kohë nga institucionet dhe familjet është qenësor për parandalimin e dhunës.

Korniza ligjore dhe mungesa e parandalimit dhe ndëshkimit

Aspekti ligjor i mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimi seksual mbetet një nga pikat më të dobëta në sistem. Sipas Albana Metaj, profesoreshë e së drejtës civile dhe feministe, korniza ligjore në Maqedoni formalisht mundëson mekanizma të caktuar për sanksionim, por në praktikë ato shpesh mbeten joefikase. Ajo thekson se ekzistojnë boshllëqe ligjore dhe zbatim i pamjaftueshëm i ligjeve ekzistuese, gjë që ka si rezultat që shumë raste të përfundojnë pa ndëshkim adekuat për autorët.

“Në epokën digjitale shumë e rëndësishme është edhe mbrojtja kundër abuzimit online dhe krimeve digjitale. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, pornografia e fëmijëve dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve janë të pëfshira edhe në formatin e tyre online, ndërsa është kriminalizuar edhe kontakti online me fëmijët për qëllime seksuale (grooming). Por, dispozitat mbeten të fragmentizuara: nuk ka një ligj gjithëpërfshirës për mbrojtjen online të fëmijëve, ndërsa mbrojtja digjitale është e ndarë midis Kodit Penal, Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Ligjit për Komunikimet Elektronike. Zbatimi praktik është i vështirëzuar nga mungesa e ekspertizës në organet hetimore për krimin online.

Procedurat gjyqësore shpesh janë të ngadalta dhe jo gjithmonë të këndshme për viktimat. Intervistat me fëmijët mund të përsëriten në faza të ndryshme, gjë që mund të shkaktojë trauma të dyfishta ose ritraumatizim. Koncepti i “Dhomës së Gjelbër”, i cili ka për qëllim ta mbrojë fëmijën gjatë marrjes në pyetje duke përdorur teknologjinë audio-vizuale për ta evituar ekspozimin e drejtpërdrejtë, nuk zbatohet rregullisht dhe nuk është i detyrueshëm. Në disa raste gjykatat vendosin dënime joproporcionale, duke dërguar kështu një sinjal të gabuar lidhur me seriozitetin e veprës penale.”

Metaj thekson se një nga pengesat më të mëdha është veprimi jokonsistent i institucioneve dhe koordinimi i pamjaftueshëm ndërsektorial – nga policia, te shërbimet sociale, e deri te gjykatat. Ky hendek institucional, thotë ajo, u mundëson autorëve ta shmangin përgjegjësinë, ndërsa viktimat dhe familjet e tyre mbeten pa mbështetje të mjaftueshme.

“Sistemi aktual shpesh nuk i konteston strukturat e pabarazisë gjinore dhe kjo gjë manifestohet në disa nivele:

  1. Akuzimi i viktimës dhe pyetje sugjestive: Në procedurat gjyqësore vajzat shpesh përballen me pyetje që vënë në pikëpyetje sjelljen, veshjen ose komunikimin e tyre. Kjo jo vetëm që e ritraumatizon viktimën, por gjithashtu dërgon edhe një mesazh të qartë se përgjegjësia pjesërisht bie mbi të, duke i përforcuar normat patriarkale që i detyrojnë vajzat që të heshtin.
  2. Mungesë e perspektivës ligjore në mbrojtjen institucionale: Shërbimet sociale dhe ligjore nuk ofrojnë gjithmonë mbrojtje sensitive ndaj gjinisë. Vajzat shpesh nuk kanë qasje në mbështetje psikologjike, mekanizma fuqizimi ose procedura që e minimizojnë ekspozimin e tyre ndaj autorit të krimit, gjë që përforcon rolin e strukturave patriarkale në sistem. 
  3. Stigmatizimi dhe heshtja kulturore: Normat shoqërore patriarkale, të cilat i detyrojnë viktimat të heshtin, nuk sfidohen nga praktikat ligjore. Vajzat shpesh përballen me një pengesë të dyfishtë: frikën nga autori i krimit, sidomos nëse ai është anëtar i familjes, dhe mungesën e mbrojtjes nga sistemi. 
  4. Parandalimi i dobët dhe edukimi seksual i pamjaftueshëm: Sistemi nuk ofron instrumente efektive preventive që do t’i aftësonin vajzat t’i njohin të drejtat e tyre dhe ta raportojnë abuzimin. Kjo lë hapësirë ​​për riprodhimin e heshtjes dhe pabarazisë gjinore.”

Për ta zvogëluar hapësirën për abuzim dhe për ta forcuar mbrojtjen e fëmijëve nevojiten reforma që do të prezantojnë sanksione më të rrepta, procedura më të shpejta dhe mekanizma të detyrueshëm për mbështetjen e viktimave. Metaj është e mendimit se pa vullnet të qartë politik dhe një sistem transparent të përgjegjësisë Maqedonia rrezikon të vazhdojë të jetë një vend ku abuzimi seksual i fëmijëve mbetet në hije dhe autorët rrallë herë përballen me pasoja.

Mungesë e kuadrove të trajnuar dhe koordinim i dobët mes institucioneve

Sipas Ljupka Trajanovskës, një studiuese e çështjeve gjinore, që vajzat dhe nxënëset femra të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura nevojitet një kornizë e fuqishme ligjore në përputhje me Konventën e Stambollit që i sanksionon qartë të gjitha format e DhBGj-së, duke përfshirë këtu ngacmimin digjital (seksual) dhe shantazhimin seksual, bashkë me mekanizma efikasë institucionalë për reagim të shpejtë dhe koordinim mes shkollave, policisë dhe qendrave të punës sociale.

“Kjo duhet të plotësohet me protokolle të detyrueshme në shkolla, trajnime për mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale, kanale të aksesueshme për raportim anonim, edukim gjithëpërfshirës seksual dhe edukim mediatik, si dhe ndihmë psikologjike dhe ligjore falas për viktimat. Një qasje e tillë e integruar do të sigurojë jo vetëm sanksionimin e autorëve, por edhe parandalimin, mbështetjen dhe fuqizimin e vajzave të reja në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre”, shpjegon ajo. 

Trajanovska shton se si vajzat ashtu edhe gratë duhet të informohen duke marrë pjesë në punëtori, debate joformale dhe seminare të organizuara nga sektori i shoqërisë civile, në mënyrë që të fillojnë të njohin llojet e ndryshme të DhBGj-së.

“Krahas kësaj në këto lloj punëtorish ata do të marrin edhe informacionin e nevojshëm se ku dhe si mund ta raportojnë dhunën dhe ku të kërkojnë mbështetje psikosociale, si dhe ndihmë ligjore falas”, thotë ajo.”

Sipas Vesna Matevska, udhëheqëse e programi në HERA dhe psikologe, edhe pse ekzistojnë programe të këtilla preventive në vendin tonë ato nuk janë të mjaftueshme, të qasshme dhe të zbatuara në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa mësimdhënësve shpesh u mungon trajnimi i mjaftueshëm për t’i njohur dhe për t’iu përgjigjur situatave të tilla.

“Për vite me radhë HERA mbështet prezantimin e edukimit seksual në shkolla, i cili mbulon tema të tilla si pëlqimi, inteligjenca emocionale dhe barazia gjinore. Përvoja jonë tregon se aty ku është i pranishëm edukimi seksual, rreziku i dhunës dhe shantazhit është më i ulët dhe nxënësit kanë më shumë gjasa të kërkojnë ndihmë”, shpjegon psikologia Matevska.

Sipas Matevskës, sa i përket rekomandimeve për ta përmirësuar në mënyrë institucionale dhe sistematike mbrojtjen dhe sigurinë e nxënësve kundër këtij lloji të dhunës nga bashkëmoshatarët, duhen ndërmarrë disa hapa paralelë, siç janë:

  • Prezantimi i edukimit seksual në shkolla.
  • Trajnimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve, pedagogëve dhe psikologëve për parandalim, njohje të hershme dhe reagim adekuat në rastet e dhunës.
  • Procedura të qarta dhe të shpejta për raportimin e dhunës digjitale dhe seksuale me mbrojtje të garantuar të viktimës.
  • Platforma online dhe linja për ndihmë të krijuara enkas për të rinjtë që do të jenë në dispozicion të tyre 24/7.
  • Shërbime këshillimi për parandalimin dhe mbështetjen e shëndetit mendor për të rinjtë.
  • Shërbime të specializuara, qendra këshillimi për punë me fëmijë dhe viktima të reja të dhunës.
  • Shërbime për trajtim dhe punë me fëmijë, autorë të rinj të dhunës.
  • Këshillime dhe mbështetje për prindërit/kujdestarët/familjet e prekura nga rastet e dhunës.
  • Koordinim më i madh midis shkollave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendrave për punë sociale dhe sektorit joqeveritar për ndërhyrje të shpejtë.

Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve thonë se nëpërmjet zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna (2020–2025) po punojnë për përforcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve në të gjitha format е dhunës, përfshirë këtu edhe dhunën seksuale në internet.

“Me mbështetjen e UNICEF-it ne kemi kryer trajnime të specializuara multisektoriale për policinë, gjykatësit, prokurorët, qendrat e punës sociale dhe OJQ-të. E gjithë kjo ka për qëllim sigurimin e një përgjigjeje të koordinuar dhe minimizimin e traumave tek fëmijët viktima, si dhe inkurajimin e një ndërhyrjeje të shpejtë dhe efektive. Njëkohësisht është vendosur një sistem për skrining cilësor të të rriturve që punojnë me fëmijë, i cili përfshin aspekte psikologjike, sociale dhe kriminologjike, si dhe po zhvillohen mjete për vlerësim të rregullt përmes intervistave dhe testimeve. Po punojmë edhe në hulumtimin “ Disrupting Harm“, i cili është i fokusuar tek shfrytëzimi seksual të fëmijëve përmes hapësirave digjitale, që ka për qëllim përcaktimin e kapacitetit të sistemit kombëtar për të reaguar ndaj formave të këtilla të abuzimit dhe për të krijuar një udhërrëfyes të qartë për përmirësimin e mbrojtjes”, u përgjigjën nga Ministria.

Përveç kësaj nga atje deklaruan se kanë prezantuar një Regjistër të veçantë të personave të dënuar për abuzim seksual të të miturve, i cili është i disponueshëm publikisht dhe u mundëson qytetarëve informim preventiv, ndërsa është hartuar  dhe miratuar një Plan Kombëtar Veprimi për të Drejtat e Fëmijëve me theks të veçantë tek shfrytëzimi seksual në internet. Ky Plan i Veprimit përfshin masa të tilla si edukimi i fëmijëve dhe prindërve, edukimi digjital, përdorimi i lojërave me role, simulime dhe platforma të të nxënit në internet. 

Edhe pse korniza ligjore është zgjeruar dhe e njeh zyrtarisht seriozitetin e dhunës digjitale, në praktikë institucionet shpesh mbeten prapa realitetit. Mungesa e punonjësve të trajnuar, bashkëpunimi i pamjaftueshëm midis shkollave, qendrave të punës sociale dhe policisë, si dhe procedurat tepër të gjata gjyqësore, i lënë shumë fëmijë pa mbrojtje në kohë. Krahas kësaj prindërit dhe mësimdhënësit shpesh nuk kanë njohuri të mjaftueshme për atë se si t’i dallojnë shenjat e para të abuzimit ose ngacmimit nga bashkëmoshatarët në hapësirën digjitale. Kjo krijon një hendek midis ligjeve dhe zbatimit të tyre real, gjë që e rrit cenueshmërinë e të miturve.

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Related