Krijimi i tankut të parë shqiptar nga një grua ngelet “lajm” në revista, gazeta e portale për shumë arsye. Arjeta Puca prodhoi të njëjtin duke u inspiruar nga makinat borëpastruese të prodhuara nga babai i saj. Ajo flet për “Mollëkuqja” se si erdhi deri te tanku i parë i Shqipërisë, i quajtur “SHOTA”.
E inspiruar nga babai i saj për krijimin e kompanisë Timak, Arjeta deshi të krijojë diçka ndryshe. Edhe pse tregu i Shqipërisë e ka detyruar që të devijojë nga veprimtaria e të atit.
“Krijimi i “Timak” erdhi si një vazhdim i rrugës së babait tim, i cili kishte një kompani në Turqi për prodhimin e makinerive borëpastruese dhe kripore. Kur u ktheva në Shqipëri, provova të vazhdoja të njëjtën fushë, por kuptova që tregu këtu ishte ndryshe. Vendosa të orientohem drejt sektorëve të tjerë, dhe nisëm të ndërtojmë ambulanca dhe mjete të tjera speciale. Ishte një proces i natyrshëm që lindi nga dëshira për të ndërtuar diçka të qëndrueshme dhe me ndikim në vendin tim.”
Çdo fillim është i vështirë, por kur je grua dhe dëshiron të konkurosh në një terren të sunduar nga burrat, rruga bëhet pothuajse e pa mundur. As Arjeta nuk ka mundur të ju ik këtyre paragjykimeve e sidomos kur e tërë kompania është kryesisht e përbërë nga vajza dhe gra.
“Ka pasur shumë vështirësi, si çdo rrugëtim sipërmarrës, por për mua sfida më e madhe ka qenë të fitoj besimin në një industri që tradicionalisht është dominuar nga burrat. Në fillim ka pasur skepticizëm, sidomos kur shihnin që kompania jonë drejtohej nga një grua dhe përbëhej kryesisht nga vajza. Por unë besoj se puna dhe rezultatet janë përgjigjja më e mirë për çdo paragjykim. Kur filluan të shohin produktet tona në terren, të përdorura nga organizata të mëdha ndërkombëtare, çdo dyshim u zbeh.”
E pyetur nëse gjatë këtij rrugëtimi ajo është përballur me skepticizëm por edhe dyshime për profesionin dhe sferën në të cilën ajo ka zgjedhur të punojë, ajo thotë se ato nuk kanë munguar.
“Patjetër që kanë qenë prezente! Ka pasur shumë habi, skeptikë dhe edhe nga miqtë më të afërt kam dëgjuar komentet tipike: “Po si do ia dalësh ti në këtë sektor?”, “Është shumë e vështirë”, ose “S’është për vajza kjo”. Por kjo vetëm më ka shtyrë më shumë të provoj të kundërtën. Sot, të njëjtët njerëz janë ndër të parët që më përgëzojnë dhe ndihen krenarë për arritjet tona. Jam mësuar që fillimisht të ketë dyshime dhe më pas t’i kthej ato në mbështetje.”
Përpos sukseseve të shumta, “Timak” në krye me Arjeta Pucën bënë revolucion me krijimin e makinës së parë të blinduar të prodhuar në Shqipëri. E emëruar “SHOTA”, kjo makinë dëshmon se vajzat dhe gratë shqiptare janë të afta të dominojnë në fusha të cilat gjithmonë janë parë si “punë për burra”. E pyetur se si erdhi deri te ideja për të krijuar automjetin e parë ushtarak tërësisht shqiptar, Puca përgjigjet se deri te SHOTA erdhi në mënyrë organike.
“Ideja lindi në mënyrë organike, pasi morëm disa kërkesa për ambulanca të blinduara për zona konfliktuale. Nga aty lindi pyetja ime: “Pse të mos krijojmë një automjet ushtarak tërësisht shqiptar?”. Duke qenë vetë inxhiniere dhe me një ekip fantastik vajzash të afta, u futëm në këtë sfidë dhe arritëm të dizajnojmë dhe të ndërtojmë SHOTËN.”
Kurse sa i përket emrit, Arjeta thotë se karakteristikat e automjetit ushtarak përkojnë me karakteristikat e Shota Galicës.
“Emri “SHOTA” është një homazh për heroinën shqiptare Shota Galica, një figurë që mishëron guximin dhe forcën e grave shqiptare – dy elementë që janë edhe thelbi i këtij projekti.”
Krijimi i automjetit ushtarak SHOTA jo vetëm që dëshmoi se vajzat dhe gratë janë të afta të sundojnë çdo lëmi pavarësisht se sa mashkullor mund të i duket shoqërisë, ajo dëshmoi edhe se Shqipëria mund të bëhet konkuruese në tregun e prodhimeve ushtarake. Puca thotë se pritet fillimi i prodhimit në seri të automjetit ushtarak “SHOTA”.
“SHOTA nuk është thjesht një automjet, por një dëshmi që Shqipëria ka potencial të bëhet një lojtar i rëndësishëm në industrinë e mbrojtjes. Jemi tashmë në bisedime me disa shtete dhe sapo të finalizojmë marrëveshjet, prodhimi në seri do të nisë. Besoj që shumë shpejt Shqipëria do të eksportojë jo vetëm “SHOTËN”, por edhe produkte të tjera të mbrojtjes, duke krijuar një markë shqiptare të fuqishme ndërkombëtarisht.”
Përveç se ndjehet e nderuar dhe krenare, Puca për fund thotë se punën e saj e sheh edhe si hap drejt eleminimit të roleve gjinore në jetën profesionale.
“Të jem e sinqertë, është një ndjenjë e veçantë dhe e rëndë njëkohësisht. Ndihem e nderuar dhe krenare, por e di që mbaj mbi supe një përgjegjësi të madhe për të hapur rrugë edhe për vajzat dhe gratë e tjera që ëndërrojnë të hyjnë në fusha ku ende ka barriera gjinore. Mua më pëlqen të shoh këtë si një hap drejt normalizimit të pranisë së grave në çdo industri, edhe në ato më të “fortat” dhe më tekniket.”