Kush ishin gratë që dominuan në RMV në vitin 2024? Bisedë me Afërdita Nuhijin dhe Arta Zejnelin

Njëra regjisore , tjetra aktore. Së bashku mike e bashkëpunëtore në profesion. Që të dyja kishin një vit me shumë aktivitete, ndaj edhe Agona Çupi ka përmendur si femër të suksesshme Afërdita Nuhijin, ndërsa Afërdita ka përmendur Arta Zejnelin. Të ecësh përpara dhe të qëndrosh gjithmonë e motivuar është e vështirë. Kjo është arsyeja pse Mollëkuqja po ndërmjetëson në shprehjen e mirënjohjes mes grave të suksesshme. Sigurisht, gra të sukseshme ka shumë dhe ju mund ta shprehi mirënjohjen në mënyrën tuaj në pamundësi që ne të merremi me të gjitha sukseset e panumërta të shumë grave të mrekullueshme që çdo ditë e më shumë përpiqen ta bëjnë botën një vend më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë.

AFËRDITA NUHIJI

‘’Të jesh pjesë e një komuniteti artistik  është një pjesë e suksesit po aq sa edhe një nyje Gordiane, sepse ti sado që mundohesh mbase ndonjëherë ta presësh me aq forcë sa ke për të dalë jashtë atij lëmshi, ai lëmsh fillon dhe të gllabëron përsëri përbrenda.  Pra, të përpiqesh të bësh art, është si të shpëtosh dikë nga kanceri dhe në momentin që ti fiton luftën nuk ndalon dot më duke u përpjekur të shpëtosh edhe të tjerë. Sukses për mua nuk do të thotë me patjetër të kem arritur ndonjë trofe, për mua suksesi më i madh në këtë profesion është vlerësimi dhe kritika që i është bërë punës time nga njerëz me peshë të artit skenik por edhe ato të publikut të rëndomtë që për mua janë edhe më të rëndësishmit. Meqenëse flasim për vitin aktual, për mua suksesi pas shfaqjes së parë profesionale që kam bërë me “Natën e Helverit” por edhe “Burri i gruas sime”, shfaqje të vlerësuara me kritika të mirëfillta nga njerëz me peshë në këtë fushë, me çmime, padyshim që projekti pas tij, “Vdekja dhe Virgjëresha”, si projekt i parë më i madhi si në numër ekipi, aktorësh, si në tematikë, si në sfidë, si në përgjegjësinë që e kam patur, puna ime e dytë në Teatrin Shqiptar, por hera e parë si regjisore që më vuri përpara një audience me fluks të madh. E quajta sukses, sepse që në hapin e  parë të prezencës në festival me një juri tejet profesioniste dhe me peshë ne rrëmbyem trofeun e shfaqjes më të mirë bashkë me kritikat dhe vlerësimet më të mira të mundshme. Sukses do ta quaj edhe prezencën time në skenë këtë vit, në rolin e aktores. Sukses do  quaja edhe një punë skenike që kam bërë me disa nxënës të shkollës së mesme në Kërçovë, ku patën fatin të jenë edhe pjesë e Festivalit të Teatrove në Kërçovë duke ndarë skenën me trupa profesionale dhe nga përvoja e këtij procesi, njëri nga ata nxënës hodhi grepin drejt arteve skenike, duke qenë këtë vit student i aktrimit. Sukses do ta quaja edhe dëshirën e madhe të një grupi me numër më të madh nxënësish që përpiqen për një nismë për të mbledhur fonde, vetëm për të bërë edhe ata një shfaqe  gjigande me skenografi dhe përmasa profesionale teknike. Sukses do ta quaja edhe shfaqen e re të nisur në Teatrin e Gostivarit që në kohë rekord kemi ngritur gjithë strukturën vizuale të shfaqjes vetëm për dy ditë sigurisht falë entuziazmit dhe punëtorëve të devotshëm të atij teatri dhe të bashkëpunëtorëve të mi.

Sukses e quaj, përuljen time ndaj familjes time, përuljen time ndaj personit që më mban dorën dhe më ndihmon në ngjitjen e një shkalle  secilin vit, ai është bashkëshorti im, përuljen time ndaj mikes time më të mirë, ndaj shoqërisë, ndaj tutorëve që më mësuan zanatin dhe përuljen më të madhe për të gjithë ata që ndajnë kohë nga jeta e tyre për të ndjekur artin tim….

Afërdita Nuhiji ka lindur në Kërçovë. I përket gjeneratës së parë të regjisoreve shqiptare femra në RMV. Ajo është shumë aktive në jetën kulturore në Kërçovë ndërsa dhe pjesë e shumë projekteve teatrale, herë si aktore e herë si organizatore e regjisore. Ndër punët që ka realizuar janë: “Në Mundsh” ,Aktore – Regjia: Qëndrim Rijani, “ Muzë më jep në shpirtin tim” – Kurator: Qëndrim Rijani ,Shfaqje në Zvicër “Propozimi – Vëllazëri dhe interes” – Anton Chekhov – Kristo Floqii . Aktore në rolet kryesore; Natalia Stepanovna dhe Marga – Regjisor: Qendrim Rijani, Filmi “I Fshehuri” – Aktore në një pjesë filmi – Regjia: Arsim Fazlia. Filmi “Dasma e Anës”, Haqif Mulliqi – Asistente Regjie dhe Aktore në rolin kryesor Ana – Regjisori: Sabedin Aliu. Shfaqja “Të parët dhe të fundit” – John Galsworthy, regjisore.- Shfaqja “Biedermanni dhe zjarrvënësit” – Max Frisch – Asistente regjie dhe Aktore në rolin e Babetës – Regjisori: Mehmet Xhelili. Shfaqja “Ballkoni” – Jean Genet – Asistente regjie – Regjisor: Arben Kumbaro . Shfaqja “Nata e Helverit” – Ingmar Vilqist – Regjisore. Pjesë e Festivalit Shqiptar në Dibër – Fituese e çmimit “Aktorja më të mirë e festivalit” ( Pjesë në festivalin “PITF Prishtinë, Fituese e çmimit “ Shfaqja më e mirë e zgjedhur nga publiku dhe studentët e Nominuar për Regjinë më të mire, Shfaqen më të mirë, Roli Kryesorë më i mirë Protagonist Femër, Roli protagonist më i mirë Mashkull’ ( Pjesë e festivalit “ Uskana Fest Kërçovë) 2021 , “ Burri I Gruas Sime “ – Miro Gavran – Regjisore – Kumaovë ( Pjesë e Festivalit të Komedisë MITRIX –FEST – Kosovë e Nominuar Për Regjinë më të mirë dhe fituese e çmimit Koncepti më i mirë i Skenografisë) , “ Vdekja dhe Virgjëresha” – Ariel Dorfman – Regjisore (Pjesë e Festivalit Uskana Fest 4 Kërçovë, Fituese e çmimit Shfaqja më e mirë) 2024 – Anëtare JURIE në Festivalin: “ Othello” – Edicioni i 8 – Gostivarë 2024 – “ Detektori “ – Vasil Sigarev – Aktore, “ Cilindri” – Eduardo de Filippo – Regjisore – Teatri i Gostivarit (në process pune) etj.

Si grua të suksesshme për sivjet dua të përmend aktoren Arta Zejneli për projektet e shumta dhe angazhimet që ka pasur.

ARTA ZEJNELI

‘’Si fillim dua të them se, ka edhe shumë vajza të tjera që kanë qenë të suksesshme këtë vit, e me siguri do të vijë dita kur edhe zëri i tyre do të dëgjohet. Sukses do të konsideroja që të përmendem nga një njeri shumë i veçantë për mua, e që ka qenë bashkë-udhëtare e këtij rrugëtimi me shumë peripeci. Fillimin e këtij viti e kam startuar me tregimet popullore, nëpërmjet këtyre mësova shumë gjëra që kanë të bëjnë me xhirimet dhe përballjen para kamerave. Tjetër eksperiencë e imja ka qenë roli në filmin e metrazhit te shkurtër “ Kamera”, do thoja se kam përjetuar një rol si nënë, një ndjenjë e veçantë, që ende nuk e kam shijuar realisht. Si projekt tjetër pata disa reklama për një kompani, nuk kisha qenë pjesëmarrëse më parë, një eksperiencë e re. Pa mos e planifikuar u kyça edhe si aktore te një videoklip,“ Për mamin”. Nëpërmjet kësaj historie të bazuar në ngjarje të vërtet mësova se sa të rëndomta duken gjërat që i gëzojmë ne, përderisa disa njerëz luftojnë me jetën. Përpjekja e tyre për ta fituar luftën, kur duket sikur kanceri thotë çdo ditë me këmbëngulje ‘’e jotja është të më shpallësh luftë, e imja të fitoj’’. Një sfidë me shumë të mira profesionale, do konsideroja rolin e Linit te shfaqja e “ Dredhitë e Patukut”, një rol shumë sfidues. Të jesh në këpucët e një burrneshe e cila i zhdëp burrat. Një zhveshje nga personaliteti privat, për të rrugëtuar në diçka të pa njohur. Pjesëmarrja nëpër shumë festivale me këtë rol, vlerësimet e njerëzve, kritikat dhe motivimi për të punuar më shumë. Si një arritje me rëndësi për mua do konsideroja me biznesin tim privat me dekorime, besimin e shumë njerëzve për të krijuar shumë paketa të mëdhaja. Çdo herë e kam konsideruar këtë biznes si një embrion, në të cilën me ndihmën e Zotit, çdo ditë është zhvilluar dhe jemi rritur bashkë. Këtë vit përpjekja, dhe netët pa gjumë, në një far mënyre dolën në pah. Një pjesëmarrje tjetër ka qenë shfaqja për fëmijë. Sinqeriteti dhe dashuria e tyre pa fund është një kënaqësi. Një kapitull i ri shumë i rëndësishëm për mua është edhe përzgjedhja ime si asistente në USHT nga dekani Prof. Senad Abduli si dhe profesori i lëndës bartëse Prof. Kushtrim Bekteshi. Një eksperiencë shumë e veçantë, ku çdo ditë mësoj diçka të re, ku disiplina, sinqeriteti, hulumtimi për këtë profesion, rëndësia e të qenit njeri janë pjesë e procesit shumë primar.. Eksperienca me studentët, besimi i tyre, hulumtimi për profesionin, më ka hapur një diapazon të ri. Si pasoj e këtij kapitulli do kisha thënë se mësova se pavarësisht titujve në jetë, pavarësisht profesionit, titulli më me rëndësi në jetën tonë është titulli i të qenit NJERI. Si arritje këtë vit do thoja se filloi zëri im i disiplinës së punës, i sinqeritetit, i drejtësisë, i përpjekjeve, sikur ka filluar të dëgjohet, dhe për mua nuk ka sukses më të madh kur kjo arrihet në rrugë të drejtë dhe të devotshme. Kënaqësi do konsideroja bashkëpunimet me kolegen time, duke punuar për çdo rol bashkë dhe duke u munduar të nxjerrim në pah vlerat. Ndërsa, në jetën personale për këtë vit kam mësuar se Zoti dërgon çdo gjë në kohën e duhur. Mirënjohëse pa fund ndaj njerëzve të afërt, dhe të gjithë atyre që më mbështetën dhe besuan tek unë.’’

Arta Zejneli –  është e punësuar në Teatrin e Tetovës ku edhe ka luajtur rolet:

“Tê mallkuarit” Autore: Olsa Poshka, Regjia: Gent Cajani, Roli: ( nëna dhe kori) “Borgjezi Fisnik”, Autor: Molier, Regjia: Kushtrim Bekteshi, Roli: Lucia,” Sakati nga Inishmori”, Autor: Martin McDonag, Regjia: Fitim Selimi, Roli: Bartli , Dredhitë e Patukut, tekst i Fishtës etj. Po ashtu është e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Universitetin e Tetovës ku edhe ka studiuar. Është themeluese e një biznesi që merret me dekorime ‘’Art decor’’.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Related