Impresum

Editorial Team

Politika editoriale e Mollekuqja

Mollëkuqja (www.mollekuqja.mk) është medium online i Qendrës për mundësi të barabarta “Mollëkuqja” nga Tetova. Çdo shkrim e botojmë në shqip, maqedonisht dhe anglisht. Shkruajmë për edukimin mediatik, marrëdhëniet ndëretnike, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut. Kjo politikë tregon si punojmë dhe çfarë mund të presin lexuesit prej nesh.

Pavarësia
Vendimet editoriale i marrim vetë, pa ndikim nga partitë politike, institucionet, bizneset ose donatorët. Për çdo tekst që botohet, fjalën e fundit e ka kryeredaktori. Nuk botojmë përmbajtje për të cilën jemi paguar që ta botojmë.

Saktësia dhe verifikimi
Çdo fakt e kontrollojmë para botimit. Për çdo pohim faktik kërkojmë të paktën dy burime ose një dokument zyrtar. Faktin e ndajmë qartë nga mendimi: kolumnet dhe analizat shënohen si të tilla. Çdo shkrim e ka autorin të shënuar me emër. Fotot dhe videot që nuk janë tonat i shënojmë me burimin.

Gjuha që përdorim
Shkruajmë me gjuhë të ndjeshme ndaj gjinisë dhe pa diskriminim. Etninë, fenë, orientimin seksual ose identitetin gjinor të një personi e përmendim vetëm kur kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen. Nuk përdorim gjuhë urrejtjeje, as tituj që fajësojnë viktimën.

Viktimat, të miturit dhe burimet
Pa pëlqimin e tyre, nuk e botojmë identitetin e viktimave të dhunës, as të fëmijëve. Burimet që kërkojnë të mbeten anonime i mbrojmë. Burim anonim përdorim vetëm kur informacioni nuk mund të merret ndryshe dhe kur redaksia e di kush është burimi.

Korrigjimet dhe ankesat
Kur gabojmë, e korrigjojmë. Kërkesat për korrigjim, sqarim ose ankesat mund të na i dërgoni në ceomollekuqja@gmail.com, duke shënuar shkrimin dhe gabimin. Përgjigjemi brenda 3 ditëve pune. Çdo korrigjim e shënojmë qartë në fillim të shkrimit përkatës, me datën kur është bërë. Personat që përmenden në shkrimet tona kanë të drejtë përgjigjeje.

Reklamat dhe financimi
Nuk pranojmë reklama, as përmbajtje të sponsorizuar, as reklamim politik të paguar. Punën tonë e financojmë me grante për projekte. Donatorët nuk kanë ndikim në përmbajtjen tonë editoriale. Në portal publikojmë se kush na financon.

Inteligjenca artificiale
Mjetet e inteligjencës artificiale i përdorim vetëm si ndihmë, p.sh. për transkriptim. Nuk i përdorim për të shkruar artikuj ose për të krijuar foto pa e shënuar këtë qartë. Çdo përmbajtje e kontrollon një gazetar para botimit.

Komentet
Në portal dhe në rrjetet tona sociale fshijmë komentet që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, kërcënime, ngacmime ose të dhëna personale të të tjerëve.

Vetërregullimi

Jemi anëtarë të Këshillit të Etikës në Media (KEMM) dhe punojmë sipas Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë. Gazetarët tanë janë anëtarë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Kushdo që mendon se kemi shkelur Kodin mund të ankohet edhe te KEMM-i.

Pronar dhe botues: Qendra për mundësi të barabarta “Mollëkuqja”, Tetovë
Adresa: rr. Jordan Zlatanoski nr. 37, 1200 Tetovë
Kontakt: ceomollekuqja@gmail.com | +389 70 544 702
Kryeredaktori përgjegjës: Ardit.ramadanni@gmail.com