Gratë trans në Britani do të kontrollohen nga policët burra pas vendimit të Supremes

Policia Britanike e Transportit (BTP) ka njoftuar se oficerët meshkuj do t’i kryejnë kontrollet e grave trans pas vendimit të Gjykatës së Supreme mbi përkufizimin e seksit i shpallur më 16 prill. Njësia e specializuar policore thotë se ka miratuar një politikë të përkohshme të re, sipas së cilës, personat trans në paraburgim do të kontrollohen nga zyrtar policor në përputhje me gjininë e caktuar në lindje.

BTP është bërë një nga të parat që ka njoftuar një ndryshim të politikës në dritën e vendimit përçarës të gjykatës. Kjo do të thotë që gratë trans në paraburgim do të kontrollohen nga oficerët burra, ndërsa oficeret që janë gra trans nuk do të mund të kontrollojnë më gratë e paraburgosura.

Aktgjykimi i Supremes, i cili vlerëson se termet “grua” dhe “seks” në Ligjin mbi Barazinë të vitit 2010 “i referohen gruas biologjike dhe seksit biologjik”, do të thotë se gratë trans me certifikatë njohjeje gjinore (GRC) mund të përjashtohen nga hapësirat e një seksi nëse kjo është “proporcionale”.

Konfirmimi publik i BTP-së për ndryshimin e politikës erdhi pasi kreu i mbikëqyrësja e barazive në Britani tha se vendimi i së mërkurës nënkupton që gratë trans nuk mund të përdorin tualetet e grave ose dhomat e zhveshjes ose të konkurrojnë në sportet e grave.

Kryetarja e Komisionit të Barazisë dhe të Drejtave të Njeriut (EHRC), baronesha Kishwer Falkner, tha se vendimi i Supremes së Mbretërisë së Bashkuar ishte “jashtëzakonisht i rëndësishëm”, pasi ajo u zotua t’i shkojë mbrapa institucioneve që nuk përditësojnë politikat e tyre.

Baronesha Falkner tha se organizatat duhet të “kujdesen” ta shohin aktgjykimin që është shumë i qartë për ta “kuptuar se ai sjell qartësi, i ndihmon ato të vendosin se çfarë duhet të bëjnë”. Një zëdhënës i BTP tha: “Në bazë të politikës së mëhershme, këshillonim që dikush me një Certifikatë të Njohjes Gjinore (GRC) mund të kontrollohej në përputhje me seksin e fituar. Megjithatë, me këtë politikë të përkohshme, ndërkohë që jemi ende duke e procesuar aktgjykimin e djeshëm, ne i kemi këshilluar zyrtarët tanë që çdo kontroll i të njëjtit seks në paraburgim duhet të kryhet në përputhje me gjininë biologjike”.

Për çështje të tjera si tualetet, dhomat e zhveshjes dhe sportet, baronesha Falkner foli në një frymë me Qeverinë duke thënë se vendimi solli “qartësi” për ofruesit e shërbimeve mbi detyrat e tyre sipas Ligjit mbi Barazisë rreth hapësirave të seksit të njëjtë.

E pyetur nëse tani është “e thjeshtë” që gratë trans nuk mund të marrin pjesë në sportin e grave, ajo tha për programin Today të BBC Radio 4: “Po, është”. Për dhomat e zhveshjes dhe tualetet, baronesha Falkner tha: “Shërbimet për personat të një seksi si dhomat e zhveshjes duhet të bazohen në seksin biologjik”.

Ajo tha se nuk ka asnjë ligj kundër organizatave që ofrojnë një hapësirë të tretë si tualetet unisex dhe sugjeroi që organizatat e të drejtave trans “duhet të përdorin fuqitë e tyre të avokimit për të kërkuar ato hapësira të treta”. Komisioni pritet ta paraqesë një kod praktik statutor të përditësuar përpara Parlamentit deri në verë dhe ka thënë se po punon “që t’i përfshijë implikimet e këtij gjykimi” në kodin për organet publike që përcaktojnë detyrat e tyre sipas Aktit të Barazisë.

Baronesha Falkner tha se komisioni vlerëson kur ligji nuk zbatohet nga institucionet dhe mund të flasë me ato organe, ose “të përdorë mekanizmat ligjzbatuese, masat ligjore të pajtueshmërisë ose çfarëdo tjetër, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Ministrja e Mirëqenies Karin Smyth i tha BBC Breakfast se “NHS (Shërbimi Kombëtar Shëndetësor) padyshim do ta zbatojë aktgjykimin, ashtu si “shumë institucione të tjera publike”. Deputetja e Bristolit tha se shpreson se vendimi do të vendosë një pikë në debatin mbi njohjen e gjinisë, por pranoi se duhet bërë më shumë “detyra shtëpie” për ta parë kuptimin e tij në praktikë.

Ndërkohë, sindikatat e arsimit i kanë kërkuar qeverisë që të ofrojë udhëzime të qarta për shkollat dhe universitetet se si ta interpretojnë ligjin lidhur me fëmijët që nuk identifikohen në bazë të normave tradicionale gjinore, derisa mësuesit shprehin shqetësime për implikimet e vendimit te nxënësit. Vendimi i Gjykatës Supreme u përshëndet si fitore nga aktivistët/et e të drejtave të grave, por organizata bamirëse LGBT Stonewall e përshkroi vendimin si “tepër shqetësues për komunitetin trans”.

Drejtori ekzekutiv i Stonewall, Simon Blake OBE tha: “Është e rëndësishme t’i rikujtojmë në mënyrë të qartë dhe të fuqishme se Gjykata riafirmoi se Ligji mbi Barazinë mbron të gjithë personat trans nga diskriminimi, bazuar në ndryshimin e gjinisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”.

“Stonewall do të vazhdojë punën me Qeverinë dhe deputetët për të arritur të drejta të barabarta sipas ligjit për personat LGBTQ+”, shtoi ai.

Baronesha Falkner tha se derisa vendimi është një “fitore për mirëkuptim të përbashkët”, në rast se “e kuptoni se personat trans ekzistojnë”.

“Personat trans kanë të drejta dhe të drejtat e tyre duhet të respektohen – atëherë kemi një fitore për të gjithë”, tha ajo, duke shtuar: “Ne qëndrojmë këtu për të mbrojtur personat trans po aq sa të tjerët. Kështu që unë dua ta bëj këtë shumë të qartë”.

Related