Gratë në gjyqësi në RMV të diskriminuara sepse janë shtatzëna ose nëna

Stereotipet gjinore janë dekurajuese për avancim në karrierë të grave gjatë shtatzënisë dhe pas pushimit të lehonisë në hierarkinë gjyqësore. Rasti i prokurores Lençe Ristovska, e cila u diskriminua nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për shkak të lindjes së fëmijës dhe prindërimit, hapi çështjen e nxehtë të diskriminimit ndaj grave shtatzëna dhe nënave në sistemin gjyqësor.

Reagimi publik dhe denoncimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë nga Ristoska para Komisionit për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit ishte një shembull pozitiv i kundërshtimit të diskriminimit ndaj grave në vendin tonë. Aplikimi i saj për një pozicion në Prokurorinë e Lartë Publike është refuzuar dy herë, një herë për shkak të moshës dhe herën e dytë për shkak të përdorimit të pushimit të lehonisë. Nga ana tjetër, Vendimi i Komisionit Kundër Diskriminimit se Këshilli i Prokurorëve Publikë ka kryer një formë më të rëndë diskriminimi u jep shpresë edhe grave të tjera që diskriminohen për shkak të lindjes dhe prindërimit dhe që nuk mund të përparojnë në karrierën e tyre për shkak se janë shtatzëna ose nëna.

Këtë e nxorri në pah edhe analiza e Qendrës për Hulumtime dhe Analiza Ligjore mbi aspektet gjinore në gjyqësor. Gratë e intervistuara në gjyqësor e kanë përmendur shtatzëninë dhe amësinë si një nga aspektet gjinore që ndikon te karriera në gjyqësor, duke potencuar se i gjithë sistemi nuk është i përshtatur mirë për të mbështetur gratë gjatë shtatzënisë dhe periudhës pas pushimit të lehonisë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, stereotipet gjinore kontribuojnë në mungesën e inkurajimit për avancim në hierarkinë gjyqësore.

“Gjetjet e Analizës së Aspekteve Gjinore në Gjyqësor treguan qartë se shtatzënia dhe amësia janë pengesë për avancim në karrierën gjyqësore, gjegjësisht ato përfaqësojnë diskriminim në bazë të gjinisë. Ky është një fenomen kompleks dhe ndodh për shkak të disa faktorëve. Para së gjithash, sipas mendimit tim, kjo është për shkak të stereotipeve të dëmshme gjinore që ekzistojnë në shoqëri ndaj grave shtatzëna dhe nënave. Ato ndonjëherë perceptohen si “të paafta” për të kryer një funksion të caktuar nën supozimin se obligimet familjare do ta pengojnë kryerjen e një funksioni të caktuar dhe nuk inkurajohen të avancojnë në karrierën e tyre. Ne si shoqëri, para së gjithash, duhet ta ndryshojmë narrativin, gjegjësisht nëse presim që gratë të lindin, i gjithë sistemi duhet të përshtatet me amësinë dhe shtatzëninë dhe se ato nuk përfaqësojnë pengesë për të hyrë në ndonjë karrierë, në rastin konkret në gjyqësor.

“Gjyqësori nuk është përjashtim në shoqërinë sonë, kështu që këto probleme pasqyrohen edhe atje”, thotë Tatjana Stoimenovska nga QHAL.

Një nga autoret e analizës, Neda Çallovska Dimovska, thotë se ekzistojnë tre aspekte se si gratë në sistemin e drejtësisë janë të ekspozuara ndaj këtij lloj diskriminimi, që fillon me trajnimin fillestar në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, pastaj në procesin e avancimit të gjyqtareve dhe prokuroreve publike femra, por edhe në avokaturë.

“Në pjesën e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, problemi është se nuk lejohet shfrytëzimi i pushimit mjekësor, përkatësisht pushimit të lehonisë më të gjatë se 60 ditë. Kjo do të thotë që gratë që janë shtatzëna dhe kanë probleme gjatë shtatzënisë nuk mund ta shfrytëzojnë pushimin mjekësor më shumë se 60 ditë dhe duhet ta ndjekin trajnimin me pjesëmarrje fizike. Gjithashtu kjo do të thotë që gratë që kanë lindur fëmijë dhe ndjekin trajnimin fillestar nuk mund ta shfrytëzojnë pushimin e lehonisë më shumë se 60 ditë, megjithëse sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës ato kanë të drejtë për 9 muaj.

Sa i përket avancimit është evidente se ende ekzistojnë stereotipe gjinore që lidhen me amësinë, gjegjësisht se nënat janë më emotive, më të zëna me fëmijët dhe nuk mund t’i përkushtohen plotësisht punës, se u duhet të mungojnë shpesh, dhe intervistuesit mendojnë se kjo ndikon në mënyrë indirekte në angazhimin e tyre, për shembull si kryetare të gjykatave dhe drejtuese të prokurorive publike. Ekziston gjithashtu edhe një pengesë sistemike që lidhet me avancimin e prokuroreve publike femra.

“Vlerësimi bëhet çdo gjashtë muaj, ndërsa pushimi i lindjes zgjat të paktën 9 muaj, që do të thotë se ato nuk mund të vlerësohen gjatë kësaj periudhe, prandaj nuk mund të avancojnë në karrierën e tyre”, thotë Çallovska Dimovska.

Ekspertja shton se diskriminimi mbi këto baza nuk duhet të justifikohet ose tolerohet nga shoqëria, pasi kufizon trajtimin e barabartë të burrave dhe grave në marrëdhëniet e punësimit, përfshirë edhe në gjyqësor.

“Së pari, gratë në funksione duhet të çlirohen nga normat që i kufizojnë ato nga denoncimi i diskriminimit, e që kanë të bëjnë me qëndrimin se “për shkak të pozicionit të tyre, është turp të denoncohet diskriminimi”. Duhet ta kuptojmë se kjo mund t’i ndodhë çdo gruaje shtatzënë ose nëne, pavarësisht nga pozicioni i saj i punës, sidomos nëse diskriminimi është sistemik, siç është rasti me vlerësimin e prokuroreve femra që e shfrytëzojnë pushimin e lindjes. Gjithashtu, këto barriera sociale duhet të thyhen pikërisht nga gratë që janë në një pozicion të caktuar dhe kanë informacion në lidhje me mekanizmat ligjore dhe mundësitë për t’i përdorur ato dhe për t’iu kundërvënë qendrave të caktuara të pushtetit. “Duke zhvilluar procedura të tilla, krijohet edhe praktika juridike për mbrojtje nga diskriminimi, por edhe gratë e tjera inkurajohen të denoncojnë atë”, shpjegon Çallovska Dimovska.

Pritshmëritë tradicionale dhe shoqërore ndikojnë në karrierën e grave

Arta Mero, profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se ideologjia e amësisë vazhdon të jetë e pranishme në karrierat dhe profesionet e grave.

“Dominon narrativi i njohur se një grua duhet të bëhet grua dhe nënë, gjë që në shumicën e rasteve është një justifikim për të zgjedhur një profesion me më pak orë pune gjatë ditës dhe një dinamikë më të relaksuar të karrierës. Kjo ndodh sepse ajo duhet ta përfundojë ditën e punës në mënyrë që të ketë kohë të vazhdojë me punët e tjera të shtëpisë, të kujdeset për familjen dhe fëmijët. Kështu, vajzat e kanë pranuar në heshtje këtë pozicion të nënshtruar. Në këtë aspekt gratë janë vendosur në rolin tradicional gjinor dhe stereotipet që imponojnë zgjedhjen e tyre të profesionit, duke krijuar kështu rehati për burrat në të gjitha profesionet publike”, thotë profesoresha Mero.

Tatjana Stoimenovska shton se, edhe pse gratë janë më të përfaqësuara se burrat në numër, ato përballen me sfida kur bëhet fjalë për avancimin në pozicione drejtuese.

“Për ilustrim, edhe pse 62% e gjyqtarëve janë gra, kemi më pak kryetare gjykatash femra sesa kryetarë meshkuj (nga 34 kryetarë gjykatash, 15 janë gra dhe 19 janë burra – që do të thotë se ka një hendek gjinor). Përveç kësaj, vëmë re se ka përfaqësim jo të mjaftueshëm të grave nga komunitetet jo-shumicë, kështu për shembull nuk kemi asnjë gjyqtare rome, ose vetëm dy kryetare gjykatash femra shqiptare. Në pozicionet më të larta nuk ka shumë gra, kështu që nuk ka pasur asnjë Dekane të Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani I”, asnjë grua nuk është emëruar si Prokurore Publike e Republikës, e as kryetare e Dhomës së Avokatëve – që nga themelimi i këtyre institucioneve deri më sot”, shpjegon ajo.

Pavarësisht faktit se ka dukshëm më shumë studente femra në Fakultetin e Drejtësisë dhe gjithashtu se studentet femra i përfundojnë studimet universitare në kohë, ato vazhdojnë të mbeten prapa në përfshirjen aktive në profesionin juridik pas diplomimit, por edhe pas përfundimit të studimeve pasuniversitare. Profesoresha Mero thotë se, ndonëse vajzat arrijnë rezultate dukshëm më të mira krahasuar me djemtë, ato ndonjëherë heqin dorë plotësisht nga karriera në drejtësi pas përfundimit të studimeve.

Duke pasur parasysh që gratë duhet ta ndjekin “orën biologjike” dhe duhet ta përmbushin veten si nëna, madje edhe përkundër të njëjtave kualifikime si burrat, ndodh që në të njëjtat profesione ato të përparojnë shumë më ngadalë dhe të përballen me sfida më të mëdha se kolegët e tyre. Për të ushtruar profesionalisht cilindo nga profesionet juridike, nuk mjafton vetëm të diplomohesh në Fakultetin e Drejtësisë, por duhet të japësh edhe provimin e jurisprudencës, dhe ata që duan të ushtrojnë profesionin e gjyqtarit ose prokurorit publik duhet të regjistrohen dhe t’i ndjekin studimet në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Të gjitha këto vite investimi pune dhe kohe bien ndesh me atë që theksuam më sipër, detyrimin kryesor që shoqëria dhe normat tradicionale ia imponojnë gruas – prioritet në krijimin e familjes, jo në avancimin e saj në karrierë”, thekson Mero.

Edukimi, ndryshimi i ligjeve dhe thyerja e stereotipeve

Lidhur me ndryshimet e nevojshme në dobi të grave dhe avancimit të tyre në karrierë në gjyqësor, sipas Stoimenovskës, duhet të ndryshohen dispozitat ligjore për vlerësimin e prokurorëve publikë.

“Duhet të bëhen ndryshime edhe në Rregulloret e Punës së Këshillit të Prokurorëve Publikë në mënyrë që funksioni të pezullohet për sa kohë zgjat pushimi i lehonisë ose pushimi më i gjatë mjekësor. Por është po aq e rëndësishme edhe që shteti të ofrojë shërbime të mjaftueshme (si për shembull vende të mjaftueshme në kopshte) në mënyrë që gratë të mund t’i përkushtohen karrierës dhe amësisë së tyre në të njëjtën kohë, pa humbur as njëra ose tjetra. Siç mund ta vëmë re, problemi është shumëplanësh dhe kompleks dhe kërkon zgjidhje sistemike në disa nivele, por në të njëjtën kohë edhe ndryshim të qëndrimeve dhe perceptimeve rreth asaj se çfarë do të thotë karriera dhe amësia dhe se njëra nuk e përjashton tjetrën!”, thotë ajo.

Pak kohë më parë Gjykata Kushtetuese pranoi unanimisht iniciativën e Prokurores Ristoska për të filluar një procedurë për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e Rregullores për Punën e Këshillit të Prokurorëve Publikë, e cila parasheh se edhe pse ata nuk punojnë me lëndë, për sa kohë që kanë qenë në detyrë për 4 vjet në Këshill, stazhi i tyre konsiderohet i vlerësuar pozitivisht. Me atë vlerësim të lartë pozitiv, një anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë nga radhët e prokurorëve, kur largohet nga atje mund të aplikojë për ngritje në detyrë. Mirëpo, si Ristoska, ashtu edhe Gjykata Kushtetuese konsideron se kjo është e gabuar dhe vendosi të fillojë procedurë kundër dispozitave të kontestuara.

Arsimi dhe edukimi për ndjeshmëri gjinore janë gjithashtu shumë të rëndësishëm në thyerjen e stereotipeve rreth grave dhe miteve rreth barazisë gjinore, veçanërisht për shkak të sulmeve gjithnjë e më të shpeshta dhe dezinformatave të përhapura në internet dhe nga lëvizjet antigjinore.

“Para së gjithash, edukim se shoqëritë demokratike dhe gjithëpërfshirëse nuk mund të ndërtohen pa përfshirjen dhe integrimin e plotë të grave. Të punohet për eliminimin e stereotipeve, të kuptohet se përgjegjësitë shtëpiake duhet të ndahen, se shtatzënia dhe amësia nuk janë pengesë për karrierën dhe se gratë nuk janë “më emotive” se burrat dhe janë po aq të forta dhe të gatshme të përfaqësohen në pozicione pushteti”, shton Stoimenovska.

Profesoresha Mero nga përvoja e saj thotë se e ka përshkuar rrugën jo shumë të lehtë për t’u bërë edhe grua edhe nënë, por dhe juriste, profesoreshë dhe aktiviste për të drejtat e grave.

“A është e lehtë? – Jo. Por a është e mundur? – Po. Vajzat e reja nuk duhet të dekurajohen dhe të bëhen viktimë e normave tradicionale duke hequr dorë nga ëndrrat e tyre për të përmirësuar këtë botë si gjyqtare, prokurore publike, notere apo avokate. Nga përvoja ime personale mund t’ju them se suksesi mund të jetë pak më i ngadaltë, por i sigurt, balancimi i jetës profesionale dhe asaj familjare nuk është aq i lehtë, por kënaqësia e mbylljes së ditës me ndjesinë se ke arritur të bësh ndonjë vepër të mirë për veten, familjen tënde dhe shoqërinë është e madhe dhe inkurajuese”, inkurajon profesoresha.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Related