Dhuna ndaj grave: A ka nevojë Maqedonia e Veriut për hallkat elektronike?

Që nga dhjetori i vitit 2024 në Kosovë ka filluar të implementohet vënia e hallkave elektronike për kryrësit e dhunës në familje të cilëve u janë shqiptuar masat e përkohshme. Por, sa janë treguar efektive këto hallka dhe a duhet Maqedonia e Veriut të fillojë të punojë në inkoorporimin e sistemit të hallkave elektronike?

Ekspertët në Maqedoninë e Veriut debatojnë që kjo mund të jetë një kosto e madhe për shtetin, duke pasur parasysh që hallkat elektronike kanë të bëjnë vetëm me dy prej masave të përkohshme të cilat shqiptohen. Nga ana tjetër, ekspertë nga Kosova argumentojnë që vendosja e hallkës elektronike rrit ndjenjën e sigurisë së viktimës, eleminon ndjenjën e frikës dhe përforcon besimin në sistemin e drejtësisë. 

 “Sipas ligjit tonë (të Maqedonisë së Veriut), gjykata mund të shqiptojë edhe të paktën 10 masa të tjera të përkohshme, për ekzekutimin e të cilave nuk mund të aplikohet hallka elektronike. Prandaj, shtrohet pyetja se sa realisht do të ishte efikas ky model dhe a është i arsyeshëm implikimi financiar që e tërheq, nëse shërben vetëm për monitorimin e zbatimit të 1/10 të tyre. Por sigurisht, mbetet të shohim se si do të jetë efikasiteti i këtij monitorimi në Kosovë, për të vlerësuar më pas nëse edhe në kontekstin tonë do të ishte efikas dhe i leverdisshëm të fusim një sistem të tillë për monitorimin e 1-2 masave të përkohshme.”, shprehet këshilltarja ligjore Hajdi Shterjova Simonoviq.

Masat e përkohshme kanë për qëllim mbrojtjen e viktimës dhe parandalimin e dhunës, por respektimi i tyre nga ana e kryrësve të dhunës në familje lë shumë për të dëshiruar. Melisa Kadolli, monitoruese e gjykatës dhe asistente ligjore në Rrjetin e Grave të Kosovës shprehet se sistemi i hallkave paraqet model të avancuar të mbikqyrjes së zbatimit të këtyre masave. 

“Vendosja e hallkës elektronike është një prej zgjidhjeve më të avancuara për rritjen e sigurisë së viktimave të dhunës në familje. Ky mekanizëm ofron një nivel më të lartë të mbrojtjes, pasi krijon mundësinë e monitorimit në kohë reale të lëvizjeve të kryerësit dhe ndërhyrjes së menjëhershme të policisë në rast të shkeljes së urdhrit të mbrojtjes.”

Sipas Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje i cili u miratua në vitin 2021, gjykatat në RMV në bazë zë nenit 58 të këtij ligji, kryerësit të dhunë në familje mund t’i shqiptojnë këto mara të përkohshme: 

  1. Ndalim që të kërcënohet se do të kryejë dhunë; 
  2. Ndalim që ta keqtrajtojë, shqetësojë, telefonojë, kontaktojë ose në mënyrë tjetër të komunikojë drejtpërdrejt ose indirekt me viktimën; 
  3. Ndalim që të afrohet në distancë më të vogël se 100 metra nga vendbanimi, shkolla, vendi i punës ose vendi i caktuar që viktima e viziton rregullisht; 
  4. Largim nga shtëpia pavarësisht nga pronësia, në kohëzgjatje prej 10 deri në 30 ditë; 
  5. Ndalim të posedojë armë zjarri ose armë tjetër ose e njëjta t’i merret; 
  6. Detyrimisht të kthejë sendet të cilat janë të nevojshme për të përmbushur nevojat ditore të viktimës dhe familjes; 
  7. Mbajtje e detyrueshme ligjore e familjes; 
  8. Detyrimisht të vizitojë qendër këshillimi për kryerësit e dhunës ndaj grave – ose dhunës në familje; 
  9. Mjekim i detyrueshëm i kryerësit, nëse abuzon me alkool, drogë dhe substanca të tjera psikotrope ose ka sëmundje psikike; 
  10. Kryerësi detyrimisht t’i kompensojë shpenzimet mjekësore dhe shpenzimet e tjera të shkaktuara nga dhuna si dhe çdo masë tjetër që gjykata e konsideron të domosdoshme që të sigurojë siguri dhe mirëqenie të viktimës dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Patrialkaliteti, normalizimi i dhunës, mosndëshkueshmëria si dhe mendësia e shmangies nga drejtësia kontribuojnë në mos respektimin dhe zbatimin e masave të përkohshme nga ana e kryerësit, shprehen nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Shumë kryerës të dhunës në familje nuk i respektojnë masat e përkohshme për shkak të mendësisë patriarkale dhe bindjes se ata kanë fuqi, kontroll dhe autoritet mbi viktimën. Kjo qasje buron nga një kulturë ku dhuna shpesh është normalizuar dhe ku respektimi i vendimeve të gjykatës shihet si i panevojshëm. Disa prej kryerësve ndihen të fuqizuar nga mungesa e ndëshkimit të menjëhershëm dhe nga besimi se mund t’i shmangen pasojave ligjore. Për më tepër, ata shpesh e shohin viktimën si të varur prej tyre, duke e përdorur këtë si justifikim për të mos iu nënshtruar masave të vendosura nga gjykata.”

Eksperienca e Kosovës me hallkat elektronike

Avokatja Bedie Rexhepi e cila vepron në Kosovë, vlerëson se hallkat mundësojnë zbatimin e plotë të masave të përkohshme në Kosovë, siguri për viktimën por gjithashtu përmes këtij hapi Kosova bën edhe një hap para në drejtim të harmonizimit me praktikat ndërkombëtare.

“Ky hap është i rëndësishëm sepse e rrit nivelin e ekzekutimit të urdhrave mbrojtës dhe i jep viktimave një mbrojtje reale, jo vetëm formale. Shumë urdhra mbrojtës deri tani ishin thjesht në letër, ndërsa dhunuesit i shkelnin ato pa pasoja të menjëhershme. Vendosja e hallkës i bën këto masa funksionale dhe ndikon si mjet parandalues dhe garanci ligjore për viktimën. Nga pikëpamja juridike, kjo është një harmonizim i nevojshëm me praktikat e Konventës së Stambollit dhe të shteteve të BE-së.”

Kadolli nga ana tjetër konfirmon që prezenca e hallkës elektronike në raste të caktuara ka ndikuar në raste kur dhunuesi ka tentuar edhe ta vret viktimës pavarësisht masave të shqiptuara nga gjykata përkatëse. 

“Nga praktika kemi parë raste konkrete ku mungesa e hallkës ka bërë që viktimat të dhunohen përsëri, madje në disa raste është rrezikuar edhe jeta e tyre. Ka ndodhur një rast tentim-vrasjeje edhe pse viktima kishte urdhër mbrojtës. Pikërisht për këto arsye, si Rrjet i Grave të Kosovës kemi avokuar fuqishëm për vendosjen e hallkave, dhe jemi të bindur se ky hap do të kontribuojë ndjeshëm në parandalimin e rasteve të përsëritura dhe në forcimin e sigurisë për viktimat.”

Përpos dhënies së sigurisë Rexhepi vlerëson se hallkat elektronike mundësojnë uljen e frikës, ndjenjë e cila e përndjek viktimën.

“Hallkat e rrisin ndjeshëm ndjenjën e sigurisë për viktimat. Për viktimën, fakti që sistemi funksionon në kohë reale krijon besim në mbrojtjen institucionale dhe redukton frikën e përhershme nga përsëritja e dhunës.”

Nga ana tjetër avokatja Rexhepi numëron uljen e recidivizmit dhe rritjen e besimit të sistemin e drejtësisë si aspekte pozitive të hallkave. 

“Këshilli i Europës e ka theksuar monitorimin elektronik si praktikë të avancuar në zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe masave të tjera. Për shtetet që kanë shkallë të lartë të dhunës në familje, kjo është një praktikë e mirë që ndihmon në uljen e recidivizmit dhe rritjen e besimit të viktimave tek drejtësia. Megjithatë, zbatimi kërkon infrastrukturë teknike, trajnim të autoriteteve dhe buxhet adekuat.”

Nga Rrjeti theksojnë se kjo masë e hallkave elektronike forcon llogaridhënien dhe se përvoja e Kosovës në këto muaj është pozitive. 

“Hallkat elektronike nuk janë vetëm një masë e sigurisë, por edhe një mjet i rëndësishëm për monitorimin e respektimit të urdhrave mbrojtës dhe masave të përkohshme. Përvoja e Kosovës ka treguar se këto hallka mund të jenë një zgjidhje alternative dhe plotësuese, e cila jo vetëm e rrit sigurinë e viktimave, por edhe forcon llogaridhënien e kryerësve.”

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Related