Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka të dhëna për dhunuesit që shkelin masat e përkohshme kundër dhunës

Masat e përkohshme të cilat shqiptohen nga shteti për të mbrojtur viktimën kur të njëjtës i rrezikohet siguria shumë shpesh shkelen nga kryerësit e dhunës. Kjo ndikon negativisht te viktima duke u ndjerë e pasigurtë në hapësirën e saj. Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshem nuk mban të dhëna mbi këto shkelje. 

Në mënyrë që të shohim se sa kryrës të dhunës në familje, të cilëve me vendim gjykate u janë shqiptuar masat e përkohshme, kanë shkelur këto masa dhe kanë vazhduar ndërmarrjen e veprimeve të cilat cenojnë viktimën, kontatuam Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga Ministria morrëm përgjigjen si në vijim:

“Lidhur me kërkesën tuaj në lidhje me dhënien e të dhënave mbi shkeljet e masave të përkohshme nga autorët e dhunës në familje në periudhën nga viti 2022 deri më 31 korrik 2025, ju informojmë se të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk përmbajnë këtë lloj të dhënash”.

Shkelja e masave të përkohshme paraqet vepër penale sipas sistemit tonë ligjor. Këshilltarja ligjore, Hajdi Shterjova Simonoviq, thotë se kur këto masa shkelen, vërehet veprimi i stacioneve policore. 

“Shkelja e një mase të përkohshme është vepër penale dhe për këtë pasojnë sanksione përkatëse. Pozitiv është fakti që marrim informata nga përdorueset e shërbimeve tona se policia reagon me kohë ndaj raportimeve për shkeljen e masave të përkohshme, veçanërisht të masës për ndalim afrimimi, gjë që megjithatë u mundëson viktimave një ndjenjë sigurie”.

Hajdi Shterjova Simonoviq vë theksin në ndërmarrjen aktive, të paanshme dhe në kontinuitet të veprimeve nga ana e institucioneve në mënyrë që viktimat të ndihen të sigurta dhe në të njejtën kohë kryerësit do kuptojnë se dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje janë të prapranushme. 

“Është e rëndësishme që sistemi të reagojë menjëherë ose të paktën në kohë, të reagojë për të gjithë njësoj, pavarësisht kush është viktima apo kryerësi, dhe t’i ndjekë të gjitha masat e shqiptuara të përkohshme në vazhdimësi. Vetëm atëherë, nga njëra anë viktima do ta dijë se e ka sistemin si mbështetje, ndërsa nga ana tjetër kryerësi do ta dijë se sistemi është ai kundër të cilit ai po shkon, e jo viktima! Me këtë dërgohet një mesazh si për atë kryerës të vetëm, ashtu edhe për të gjithë kryerësit potencialë. Është e rëndësishme të kemi një sistem që vazhdimisht dërgon mesazhe se dhuna ndaj grave nuk lejohet dhe nuk do të tolerohet apo trajtohet në mënyrë selektive”.

Çfarë janë masat e përkohshme?

Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2021, në nenin 58 parasheh që kryerësve të dhunës në familje të ju shqiptohen masat e përkohshme me qëllim që të ndalet dhuna ndaj viktimës. Ligji numëron taksativisht 10 masa të përkohshme: 

  1. Ndalim që të kërcënohet se do të kryejë dhunë;
  2. Ndalim që ta keqtrajtojë, shqetësojë, telefonojë, kontaktojë ose në mënyrë tjetër të komunikojë drejtpërdrejt ose indirekt me viktimën;
  3. Ndalim që të afrohet në distancë më të vogël se 100 metra nga vendbanimi, shkolla, vendi i punës ose vendi i caktuar që viktima e viziton rregullisht;
  4. Largim nga shtëpia pavarësisht nga pronësia, në kohëzgjatje prej 10 deri në 30 ditë; 
  5. Ndalim të posedojë armë zjarri ose armë tjetër ose e njëjta t’i merret;
  6. Detyrimisht të kthejë sendet të cilat janë të nevojshme për të përmbushur nevojat ditore të viktimës dhe familjes;
  7. Mbajtje e detyrueshme ligjore e familjes; 
  8. Detyrimisht të vizitojë qendër këshillimi për kryerësit e dhunës ndaj femrave – ose dhunës në familje; 
  9. Mjekim i detyrueshëm i kryerësit, nëse abuzon me alkool, drogë dhe substanca të tjera psikotrope ose ka sëmundje psikike; 
  10. Kryerësi detyrimisht t’i kompensojë shpenzimet mjekësore dhe shpenzimet e tjera të shkaktuara nga dhuna.

Realiteti sa i përket numrit të veprave penale të dhunës në familje të cilat janë raportuar për këtë vit, shohim se nuk është premtues. Në fakt nga statistikat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme për periudhën kohore janar – qershor 2025, mund të shohim se numri i veprave penale që lidhen me dhunën në familje është 512 nga të cilat 474 prej tyre janë kryer nga burra dhe 55 prej tyre janë kryer nga gra. Nga këto numra, për gjatë muaj janë raportuar 3 vrasje të kryera nga burra. Shqetësues është numri i lëndimeve të lehta trupore, pasi që 336 vepra janë raportuar dhe 310 nga këto raportime janë kryer nga burra.  Po ashtu i lartë është numri i cenimit të lirisë ku 147 burra janë raportuar is kryerës dhe 13 gra. 

Është jetike që institucionet të ndërmarrin veprime në mënyrë që kryerësve t’u pasojnë sanksione si pasojë e shkeljeve të masave të përkohshme. Kjo do të mundësonte që viktimat të ndihen të sigurta dhe të motivohen të raportojnë si dhunën por edhe shkeljen e masave të përkohshme. 

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Related