Filmat e serialet si nxitje për zgjidhje të problemeve shoqërore

Para disa kohësh isha në një festival filmi, ku një pjesë e programit i dedikohej filmave që kanë ndikim shoqëror, ose që janë nxitur të bëhen pas zhvillimeve të caktuara shoqërore, duke bërë një “analizë” të impaktit që kanë pasur këto zhvillime, ose duke hapur tema që burojnë nga vetë problemet ose fenomenet shoqërore.

Filmat ishin nga vende të ndryshme, në gjuhë të ndryshme dhe ngrinin çështje të ndryshme, duke tentuar të shfaqeshin me një univerzalizëm që të kuptoheshin nga publiku i gjerë, siç ishim edhe ne.
Nuk mund të them se filma dhe produksione të tilla nuk janë bërë edhe në rajon, madje disa prej tyre janë evidentuar fuqishëm në skena ndërkombëtare, madje edhe me çmime. Por ajo që dua të theksoj është: a diskutohet impakti që kanë këto krijime? Sa ndikojnë temat e ngritura në shoqëri? E bëj këtë pyetje sepse në festivalin në fjalë, një regjisor i ftuar komunikoi drejtpërdrejt me publikun dhe nga pyetjet e përgjigjet u mësua më shumë për temën që ai kishte zgjedhur, pse e kishte bërë filmin dhe çfarë debatesh donte të ngrejë në shoqëri.

Filmi i tij kishte të bënte me qasjen se si shoqëria perëndimore ende e trajton dhunën ndaj grave, edhe kur ajo është pasive dhe e padukshme. Një fenomen që, sipas tij, nuk diskutohet shumë, sepse fokusi me të drejtë është tek viktimat e dhunës së madhe, që është e dukshme dhe me pasoja fizike, madje edhe ndaj jetës. Por regjisori thoshte se pikërisht tolerimi i dhunës “së butë”, që nga ajo verbale e deri tek mosrespektimi i dëshirave të partnereve edhe në lidhje, ndërton rrugën për dhunë të theksuar.

Sigurisht, një bashkëbisedim i tillë i drejtpërdrejtë është i rrallë mes publikut dhe autorëve të filmave, aq më tepër që ndoshta edhe filmi në fjalë ka pasur audiencë më të vogël, nuk është pjesë e platformave gjigante filmike, dhe regjisori ishte prezent. Ishte një qarkullim i nevojshëm komunikimi mes krijuesit dhe audiencës: nëse ideja ishte pranuar siç duhej dhe nëse krijuesi kishte përcjellë atë që donte.

Dakord, kjo nuk ndodh shpesh. Por kur prodhimet filmike vijnë nga studiot e mëdha dhe platformat e tyre, ku shfaqen para miliona shikuesve, diskutimet për to vazhdojnë. Nuk është ai “luksi” që publiku të pyesë drejtpërdrejt regjisorin, por shkruhen dhe analizohen përplot artikuj e diskutime për impaktin e temave që ngrejnë filmat dhe serialet që arrijnë tek ekranet e miliona njerëzve.

Kjo pjesë është shumë e rëndësishme, sepse si librat, ashtu edhe filmat, serialet dhe krijimet e tjera formësojnë dhe krijojnë bindje të caktuara kur shihen nga miliona njerëz. Nxitja për këtë shkrim në fakt më erdhi pikërisht nga analizat e thella që i bëheshin sezonit të tretë të serialit The Gilded Age, në përkthim të lirë “Epoka e praruar” ose “Epoka e artë”.

Kjo epokë, siç njihet nga historianët, i referohet një periudhe në historinë amerikane nga fundi i viteve 1870 deri në fillim të viteve 1900, e karakterizuar nga industrializimi i shpejtë, rritja ekonomike dhe ndryshimet e rëndësishme shoqërore e politike. Ndërsa në dukje dukej e begatë, për çka tregojnë edhe shifrat ekonomike të kohës, me përparime të shpejta dhe grumbullim pasurie, periudha shënohej gjithashtu nga probleme të thella si varfëri e përhapur, korrupsion politik, pabarazi e theksuar, por edhe fillimi i ndryshimeve të mëdha shoqërore – si ato që kishin të bënin me politikat ndaj njerëzve me ngjyrë, të drejtën e votës së grave, si edhe vetë rritjen e ndikimit të tyre në shoqëri. Ishte një kohë e rritjes së shpejtë ekonomike, veçanërisht në pjesën veriore dhe perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Meqenëse pagat amerikane u rritën shumë më tepër se ato në Evropë, sidomos për punëtorët e kualifikuar, dhe industrializimi kërkonte një fuqi punëtore gjithnjë e më të aftë, shoqëria përjetoi transformime të mëdha. Hekurudhat ishin industria kryesore e rritjes, ndërsa sistemi i fabrikave, nafta, minierat dhe financat po fitonin gjithnjë e më shumë rëndësi. Emigracioni nga Evropa dhe nga pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara çoi në zhvillimin e shpejtë të Perëndimit, i cili u mbështet në bujqësi, blegtori dhe miniera.

Seriali diskutohet shumë sepse e prek këtë histori dhe shfaq një Amerikë pa tensione raciste, ku popullsia e zezë është po aq e pasur dhe elegante. Jep mesazhe se edhe në ato vite të hershme ka pasur momente të mirëkuptimit racor – diçka ndryshe nga çfarë zakonisht sjell industria e filmit për përplasjet racore, po aq të bazuara në fakte historike. Në disa artikuj në media të fuqishme thuhet: a nuk do të ishte kjo ajo Amerikë që do ta donin të gjithë, pa dhunën ekstreme racore? Po aq artikuj, debate e intervista nxjerrin në pah se si pasurimi i madh në atë periudhë “të artë” ka ndikuar raportet shoqërore. Është koha kur shërbëtorët pasurohen po aq sa elitat, kur gratë trashëgojnë para marramendëse dhe shprehin fuqi. Seriali nxit edhe diskutime duke bërë paralele me të tashmen, me raportet shoqërore sot, duke treguar se ende ka probleme raciste të tejpashme, dhunë të dukshme ndaj grave e në shoqëri, por edhe lëkundje të rolit të grave e vajzave në jetën shoqërore.

Filmat dhe serialet globale, por edhe ata të produksioneve tona, lënë gjurmë mbi ne. Por a diskutohen ato për ndikimin që bëjnë? Publiku si “konsumator” i ndjek, por sa janë relevante, si temat ashtu edhe mesazhet që përhapen për publikun tonë?

Këto krijime që kapin audienca të gjëra janë edhe argëtim, të kuptohemi, dhe jo përherë kanë për qëllim ndikimin shoqëror. Por kur kanë një ndikim të tillë, u duhet dhënë kujdes edhe nga ne, nga audiencat këtu, sepse na prekin po aq me mesazhet e tyre. Nga ana tjetër, duke i diskutuar e duke folur, sidomos ato që kanë ngjashmëri me problemet tona – qoftë dhunë, diskriminime, apo ndikime kulturore – jo vetëm që ndihmojmë të përfshihemi në një debat global, demokratik e perëndimor, por japim edhe kontributin tonë për zgjidhjen e problemeve dhe fenomeneve që shfaqen edhe në shoqëritë tona, kur modelet funksionojnë edhe këtu.

Një impakt po aq të madh pati para disa muajsh seriali “Adoleshenca”. Sërish një temë e rëndë: dhuna mes adoleshentëve dhe roli i prindërve. Seriali nxirrte në sipërfaqe shqetësimin se sa të përfshirë janë prindërit, si dhe sa të përfshira janë shkollat në atë se çfarë mendojnë dhe si sillen adoleshentët. Seriali është tronditës, sepse flet për vrasjen e një vajze nga një shok klase dhe shfaq gjithë rëniet emocionale të familjes së adoleshentit të përfshirë në tragjedi. Ky serial hapi një debat të madh në Britaninë e Madhe, ku qeveria vendosi që për temat që ngre filmi, sidomos roli i rrjeteve social në në nxitjen e dhunës, radikalizimi i djemve nga internet, të flitet hapur edhe në shkolla.

Pra, diskutimi i hapur, sqarimi i fenomeneve dhe trajtimi i viktimave do të sjellin një shoqëri më të mirë, edhe kur kjo nxitje vjen edhe nga krijimet, siç janë serialet.

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Related