Në një treg të vogël mediatik si ai në Maqedoninë e Veriut, gazetaria shpesh mbetet e kapur pas lajmit të ditës, duke lënë në hije një nga format më të rëndësishme të saj: gazetarinë tematike. Pikërisht mungesa e kësaj qasjeje e kufizon debatin publik në reagime të shpejta dhe sipërfaqësore, pa hyrë në thellësinë e problemeve që prekin shoqërinë.
Në një bisedë për Mollëkuqja, Nora Kaliqi, kryetarja e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoninë e Veriut, foli për rëndësinë e gazetarisë tematike si një mjet për të ndërtuar mendim kritik dhe për të trajtuar çështje shpesh të lëna në hije, nga pabarazia gjinore te diskriminimi dhe dhuna me bazë gjinore.
Ajo thekson se pa këtë qasje, mediat rrezikojnë të mbeten në nivel incidentesh, duke raportuar pasojat, por jo shkaqet.
Kaliqi paralajmëroi se kjo mungesë ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e raportimit, duke hapur rrugë për stereotipa, gjuhë diskriminuese dhe sensacionalizëm.
Në këtë kontekst, ajo bën thirrje për më shumë përgjegjësi profesionale, forcim të vetërregullimit dhe një kulturë mediatike që vendos etikën dhe dinjitetin njerëzor mbi ‘garën’ për klikime dhe senzacionalizëm.
Në vendin tonë ka pak media tematike. Pse ndodh kjo dhe sa e rëndësishme është të ekzistojnë media të tilla, të cilat nxisin mendimin kritik, sidomos për çështje të “padëgjuara” apo tabu?
Në një treg të vogël mediatik si ky në shtetin tonë, shumica e mediave veprojnë nën presion të vazhdueshëm financiar, me redaksi të vogla, me kapacitete të kufizuara dhe me kërkesë të pandërprerë për prodhim të shpejtë të përmbajtjes. Në rrethana të tilla, fokusi shpesh zhvendoset te lajmi i ditës, te dinamika e zhvillimeve politike dhe te temat që kërkojnë reagim të menjëhershëm. Si pasojë, gazetaria tematike mbetet e kufizuar, edhe pse është ndër format më të rëndësishme të gazetarisë cilësore.
Pikërisht kjo gazetari ka vlerë të veçantë, sepse nuk ndalet vetëm te ngjarja, por përpiqet të shpjegojë procesin, kontekstin dhe pasojat. Gazetaria tematike trajton në vazhdimësi tema që shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike si pabarazinë gjinore, diskriminimin, të drejtat e grave, dhunën me bazë gjinore, varfërinë, shëndetin mendor apo pozitën e grupeve të margjinalizuara. Prandaj, roli i saj është thelbësor jo vetëm për informimin e publikut, por edhe për zhvillimin e mendimit kritik, për zgjerimin e debatit publik dhe për krijimin e kulturës më të përgjegjshme shoqërore.
Kur mungojnë media të tilla, humbet pikërisht ai dimension i thellimit dhe i vazhdimësisë që i duhet shoqërisë për t’i kuptuar problemet përtej sipërfaqes. Dhe kur problemet nuk kuptohen në thelb, ato vështirë se trajtohen me seriozitetin që meritojnë.
Kur flasim për raportimin e çështjeve gjinore, shpesh duket sikur mediat reagojnë vetëm kur ndodh një incident i madh. A është pikërisht mungesa e gazetarisë tematike ajo që po e mban diskutimin në nivel incidentesh dhe jo fenomenesh?
Po, në masë të madhe kjo lidhet pikërisht me mungesën e gazetarisë tematike dhe me mungesën e një qasjeje të qëndrueshme editoriale ndaj çështjeve gjinore. Kur temat gjinore hyjnë në media vetëm në raste dhune, tragjedish, vrasjesh apo skandalesh, atëherë publiku përballet vetëm me pasojën më të rëndë të problemit, por jo me shkaqet, strukturat dhe kulturën që e prodhojnë atë.
Pabarazia gjinore nuk shfaqet vetëm në momente të krizës. Ajo reflektohet në gjuhë, në përfaqësim, në mënyrën si gratë paraqiten në media, në mungesën e tyre në hapësirat vendimmarrëse, në stereotipat që përsëriten dhe në normalizimin e roleve të pabarabarta shoqërore. Kur raportimi kufizohet vetëm te incidenti, atëherë debati mbetet episodik dhe emocional, por jo analitik dhe transformues.
Raportimi gjinor kërkon shumë më tepër se reagim të momentit. Kërkon vazhdimësi, kontekst, njohje të fenomenit dhe kujdes në mënyrën e ndërtimit të narrativës. Gazetaria tematike e bën pikërisht këtë, e zhvendos fokusin nga ngjarja e izoluar te kuptimi i fenomenit si problem shoqëror. Dhe kjo është thelbësore, sepse pa këtë zhvendosje media rrezikon të raportojë për pasojat, pa ndihmuar realisht në kuptimin e shkaqeve që kanë sjell pasojat.
Sa ndikon mungesa e gazetarisë tematike në çështjet gjinore në riprodhimin e stereotipave dhe të gjuhës diskriminuese apo seksiste në raportim?
Ndikon shumë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur mungon qasja profesionale, e specializuar dhe e ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, media bie shumë më lehtë në riprodhimin e stereotipave, në banalizimin e pabarazisë dhe në përdorimin e gjuhës që, në vend që të sqarojë, e deformon problemin.
Shumë shpesh gruaja vazhdon të paraqitet brenda roleve të ngushta dhe të paracaktuara, si viktimë, si figurë e brishtë, emocionale, si rol familjar, ndërsa shumë më rrallë si eksperte, si zë kompetente, si bartëse e autoritetit publik apo si aktore e barabartë në jetën shoqërore. Kjo mënyrë e përfaqësimit nuk është neutrale. Ajo ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si publiku e kupton vendin e gruas në shoqëri.
Kjo është veçanërisht problematike në raportimin për dhunën ndaj grave. Shpesh përdoren formulime që e zbusin dhunën, e relativizojnë atë ose e zhvendosin vëmendjen nga përgjegjësia e autorit te rrethanat personale, emocionale apo familjare. Përdorimi i shprehjeve që e romantizojnë ose e banalizojnë dhunën jo vetëm që shtrembëron realitetin, por edhe ndikon në normalizimin e stereotipave dhe në dobësimin e ndjeshmërisë shoqërore ndaj problemit.
Për këtë arsye, raportimi gjinor nuk është shtesë dekorative e gazetarisë profesionale. Ai është pjesë thelbësore e saj. Ai kërkon jo vetëm korrektësi gjuhësore, por ndërgjegje etike, saktësi konceptuale dhe respekt të plotë për dinjitetin njerëzor.
Në praktikën tuaj në Këshillin Etik, sa shpesh hasni shkelje që lidhen me raportimin e çështjeve gjinore dhe cilat janë format më problematike të tyre në media?
Në praktikën e Këshillit, shkeljet që lidhen me raportimin e çështjeve gjinore nuk janë të rralla. Ato nuk paraqiten gjithmonë në formë të drejtpërdrejtë, por shpesh bëhen të dukshme në mënyrën si kornizohet tema, si ndërtohet titulli, cilat detaje theksohen, cilat zëra përfshihen dhe çfarë mungon nga konteksti.
Ndër format më problematike janë sensacionalizimi i rasteve të dhunës ndaj grave, publikimi i detajeve intime nga jeta private pa interes të qartë publik, përdorimi i gjuhës që relativizon ose romantizon dhunën, mungesa e ndjeshmërisë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, si dhe lejimi që hapësirat digjitale të mediave të shndërrohen në vende për gjykim moral, stigmatizim dhe linçim publik.
Pikërisht për këtë, ne e theksojmë vazhdimisht se besimi i publikut ndërtohet mbi etikë dhe profesionalizëm, ndërsa humbet kur tragjeditë trajtohen në mënyrë sensacionaliste. Publikimi i detajeve nga jeta private, titujt që nxisin kureshtje dhe qasja që e shndërron dhimbjen njerëzore në përmbajtje për konsum apo klikime nuk i shërbejnë informimit të publikut, por cenojnë dinjitetin dhe mund të thellojnë viktimizimin.
Po ashtu, është thelbësore të bëhet dallimi ndërmjet interesit publik dhe kureshtjes së publikut. Jo çdo informacion është lajm dhe jo çdo detaj duhet të bëhet publik. Pikërisht në këtë pikë matet pjekuria profesionale e medias dhe përgjegjësia e saj etike.
Çfarë mekanizmash konkretë do të rekomandonit për të forcuar përgjegjësinë e mediave në këtë drejtim? A mjafton vetërregullimi apo nevojiten politika më të forta?
Vetërregullimi është bazë shumë e rëndësishme dhe duhet të mbetet një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e standardeve profesionale. Por vetërregullimi nuk duhet kuptuar si formalitet. Ai duhet të jetë kulturë pune, përgjegjësi editoriale dhe reflektim i përditshëm profesional.
Për të përforcuar përgjegjësinë e mediave në raportimin gjinor, nevojiten disa mekanizma shumë konkretë, trajnime të vazhdueshme për gazetarët dhe redaktorët për raportim të ndjeshëm gjinor, politika editoriale më të qarta brenda redaksive, reagim më i shpejtë dhe më konsekuent ndaj shkeljeve, moderim më i përgjegjshëm i përmbajtjeve në platformat digjitale, si dhe përfshirje më e madhe e ekspertëve, studiuesve dhe zërave kompetentë në trajtimin e këtyre temave.
Po aq i rëndësishëm është edhe edukimi mediatik i publikut, sepse një audiencë e ndërgjegjshme ndihmon në ngritjen e standardeve dhe në refuzimin e përmbajtjeve që banalizojnë dhunën, diskriminimin apo dhimbjen njerëzore.
Prandaj, edhe në Kodin e ri etik rekomandojmë standarde më të qarta për raportim më të përgjegjshëm dhe më të ndjeshëm, sidomos ndaj grave dhe grupeve të cenueshme. Theksi vihet te mbrojtja e privatësisë, shmangia e përmbajtjeve sensacionaliste, trajtimi me më shumë kujdes i rasteve të dhunës dhe tragjedive, si dhe te përgjegjësia më e madhe profesionale në përzgjedhjen dhe verifikimin e informacionit. Në thelb, synimi është që media të informojë me ndjeshmëri, saktësi dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Pra, vetërregullimi është i domosdoshëm, por ai duhet të ecë paralelisht me udhëzime më të qarta, me vetëdije më të lartë profesionale dhe me një kulturë editoriale që e vendos dinjitetin e njeriut mbi logjikën e klikimeve.
Në fund, raportimi për gratë dhe për çështjet gjinore nuk është vetëm çështje korrektësie gjuhësore. Është çështje drejtësie, respekti dhe përgjegjësie publike. Pikërisht këtu fillon roli i vërtetë i medias, jo vetëm të informojë, por të kontribuojë në një shoqëri më të vetëdijshme, më të ndjeshme dhe më të drejtë.




