Mungesa e njohjes ligjore të gjinisë dhe pengesat institucionale vazhdojnë të rëndojnë jetën e personave transgjinorë në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht kornizës ligjore ekzistuese. Lila Miliq, bashkëthemeluese e Transforma, për Mollëkuqja foli mbi këto sfida dhe nevojën për ndryshime në praktikë, duke theksuar rëndësinë e vullnetit politik dhe përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje.
Si e vlerësoni gjendjen e të drejtave të personave transgjinorë dhe të personave nga komuniteti LGBTIQ+ në Maqedoninë e Veriut dhe cilat janë dështimet kryesore institucionale?
“Gjendja e të drejtave të personave transgjinorë dhe e komunitetit më të gjerë LGBTIQ+ në Maqedoninë e Veriut mund të vlerësohet si pjesërisht e rregulluar në nivel ligjor, por pamjaftueshëm e mbrojtur në praktikë. Miratimi i Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili përfshin në mënyrë eksplicite orientimin seksual dhe identitetin gjinor si baza për mbrojtje, përbën përparim të rëndësishëm. Megjithatë, zbatimi i tij mbetet i kufizuar, ndërsa personat transgjinorë vazhdojnë të përballen me diskriminim, mungesë informimi institucional dhe mungesë të mekanizmave efektivë të mbrojtjes.
Dështimet kryesore institucionale lidhen me mungesën e zgjidhjeve sistemike dhe të koordinuara. Ende nuk ka procedurë funksionale dhe të qasshme për njohjen ligjore të gjinisë, nuk ka protokolle të qarta dhe detyruese për kujdes shëndetësor afirmues për personat trans, si dhe mungojnë politika që garantojnë qasje të barabartë në arsim, mbrojtje sociale dhe punësim. Për më tepër, rastet e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës shpesh nuk njihen dhe nuk procedohen siç duhet nga institucionet.
Në punën tonë dokumentojmë vazhdimisht raste diskriminimi dhe trajtimi institucional që nuk janë në përputhje me detyrimet ligjore, çka tregon për hendek serioz ndërmjet kornizës ligjore ekzistuese dhe zbatimit të saj në praktikë.
Problemi nuk qëndron vetëm te ligjet, por edhe te mungesa e vullnetit politik, kapaciteteve institucionale dhe një qasjeje proaktive. Si rezultat, personat transgjinorë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jetojnë në kushte pasigurie juridike dhe me qasje të kufizuar në të drejtat dhe shërbimet bazë.”
Si ndikon mungesa e njohjes ligjore të gjinisë në jetën e përditshme të personave transgjinorë dhe pse ky proces po zvarritet prej vitesh?
“Mungesa e njohjes ligjore të gjinisë ka pasoja të drejtpërdrejta dhe serioze në jetën e përditshme të personave transgjinorë, pasi identiteti i tyre ligjor nuk përputhet me jetën dhe pamjen e tyre reale. Kjo do të thotë se pothuajse çdo procedurë administrative ose institucionale, si aplikimi për punë, përdorimi i shërbimeve shëndetësore, udhëtimi, hapja e një llogarie bankare apo identifikimi i thjeshtë, mund të çojë në poshtërim, dyshim, refuzim të shërbimit apo ekspozim ndaj diskriminimit dhe dhunës. Për këtë arsye, shumë persona trans shmangin punësimin formal, shërbimet shëndetësore apo procedurat administrative, duke thelluar më tej margjinalizimin e tyre ekonomik dhe social.
Kjo situatë krijon gjithashtu presion të vazhdueshëm psikologjik dhe ndjenjë pasigurie, pasi çdo ndërveprim me institucionet bart rrezikun e zbulimit të detyruar të identitetit gjinor dhe trajtimit diskriminues.
Veçanërisht shqetësuese është fakti që Maqedonia e Veriut ka detyrime të qarta ndërkombëtare në këtë fushë. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në çështjen X kundër Maqedonisë së Veriut, konstatoi shkelje të së drejtës për jetë private për shkak të mungesës së një procedure të qartë, të qasshme dhe funksionale për njohjen ligjore të gjinisë dhe theksoi se shteti ka detyrimin të vendosë një procedurë të shpejtë, transparente dhe juridikisht të sigurt. Pavarësisht këtij aktgjykimi në vitin 2019, ende nuk është vendosur një sistem që në praktikë mundëson realizimin e kësaj të drejte.
Zvarritja e gjatë e procesit është rezultat i mungesës së vullnetit politik, hezitimit institucional dhe shmangies së përgjegjësisë. Në vend të një qasjeje të koordinuar, kompetencat shpesh transferohen nga një institucion në tjetrin, ndërsa tema trajtohet si politikisht e ndjeshme për shkak të presionit nga narrative konservatore dhe antigjinore. Si rezultat, personat transgjinorë prej vitesh jetojnë në një vakum juridik, pavarësisht standardeve dhe detyrimeve të qarta ndërkombëtare të shtetit.”
Me cilat pengesa sistemike përballeni më shpesh në punën tuaj si aktivistë, në institucione, sistemin shëndetësor apo diskursin publik dhe si i adresoni ato?
“Në punën tonë si aktivistë më shpesh përballemi me mungesë informimi institucional, rezistencë burokratike dhe mungesë të një qasjeje sistemike ndaj problemeve me të cilat përballen personat transgjinorë. Në shumë institucione mungon kuptimi bazë për identitetin gjinor, gjë që rezulton në trajtim të papërshtatshëm, pengesa administrative apo refuzim shërbimesh.
Në praktikë përballemi edhe me raste konkrete diskriminimi, përfshirë në vendin e punës. Kemi pasur një rast të një burri transgjinor që ishte i ekspozuar ndaj diskriminimit të drejtpërdrejtë nga punëdhënësi, gjë që më pas u konstatua edhe nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi. Kjo tregon se personat trans vazhdojnë të përballen me barriera serioze në qasjen në tregun e punës dhe në një mjedis të sigurt pune.
Në sistemin shëndetësor, problem shtesë është mungesa e protokolleve të qarta dhe e stafit të trajnuar për kujdes shëndetësor afirmues për personat trans. Mungesa e përgatitjes institucionale reflektohet edhe në hapësirën e kufizuar për diskutim profesional dhe akademik. Si shembull, një panel i dedikuar për nevojat shëndetësore të personave trans në Fakultetin e Mjekësisë u anulua nën presionin e lëvizjeve antigjinore, çka tregon se tema shpesh politizohet dhe se frika nga reagimet publike ndikon në vendimet institucionale.
Njëkohësisht, në hapësirën publike dhe online përballemi me dezinformim, stigmatizim dhe gjuhë urrejtjeje. Këto sfida i adresojmë përmes dokumentimit të rasteve, ofrimit të mbështetjes ligjore dhe psikosociale, edukimit dhe sensibilizimit të profesionistëve, si dhe përmes avokimit publik dhe fuqizimit të vetë komunitetit.”
Sa realisht janë të përfshirë personat transgjinorë në proceset e vendimmarrjes që i prekin drejtpërdrejt jetët e tyre dhe a e dëgjojnë vërtet institucionet zërin e komunitetit?
“Përfshirja reale e personave transgjinorë në proceset e vendimmarrjes që i prekin drejtpërdrejt mbetet e kufizuar dhe shpesh ka karakter formal ose simbolik. Edhe pse institucionet herë pas here organizojnë konsultime, dëgjime publike apo grupe pune, pjesëmarrja e përfaqësuesve të komunitetit jo gjithmonë nënkupton ndikim real në vendimet përfundimtare.
Në praktikë, shpesh ndodh që mendimet dhe rekomandimet e organizatave dhe aktivistëve që punojnë drejtpërdrejt me personat trans të mos përfshihen në mënyrë thelbësore në hartimin e politikave dhe masave. Kjo rezulton në zgjidhje që nuk pasqyrojnë nevojat reale të komunitetit ose mbeten të pazbatueshme në praktikë.
Problem shtesë është mungesa e një dialogu të vazhdueshëm dhe të strukturuar me komunitetin. Përfshirja shpesh është ad-hoc dhe varet nga projekte apo iniciativa të caktuara, në vend që të jetë mekanizëm sistematik bashkëpunimi dhe konsultimi.
Megjithëse ekzistojnë shembuj individualë pozitivë të bashkëpunimit institucional, është e nevojshme që institucionet ta njohin ekspertizën që vjen nga vetë komuniteti dhe të sigurojnë përfshirjen e tij thelbësore që nga fillimi i proceseve. Pa pjesëmarrje domethënëse të personave trans në vendimmarrje, vështirë se mund të priten politika të qëndrueshme dhe efektive që u përgjigjen nevojave të tyre reale.”
A po shndërrohet rritja e dukshmërisë së komunitetit LGBTQI+ në pranim më të madh shoqëror dhe pse, sipas jush, shoqëria në Maqedoninë e Veriut ende mbetet rezistente dhe e mbyllur ndaj këtij komuniteti?
“Rritja e dukshmërisë së komunitetit LGBTQI+ në vitet e fundit jo gjithmonë përkthehet në pranim më të madh shoqëror. Nga njëra anë, ngjarje si Skopje Pride dhe Marshimi për Dukshmërinë e Personave Trans krijojnë hapësirë që komuniteti të shihet, të ndajë përvojat e tij dhe të hapë dialog publik. Këto iniciativa janë të rëndësishme sepse kontribuojnë në dukshmëri, solidaritet dhe thyerjen graduale të stereotipeve.
Nga ana tjetër, rritja e dukshmërisë shpesh shoqërohet edhe me reagime negative të shtuara, dezinformim dhe gjuhë urrejtjeje, veçanërisht kur bëhet fjalë për personat transgjinorë. Në vend të mirëkuptimit, dallueshmëria shpesh paraqitet si kërcënim, duke thelluar më tej stigmën dhe polarizimin në shoqëri.
Rezistenca ndaj komunitetit LGBTQI+ në Maqedoninë e Veriut lidhet me norma të thella patriarkale dhe tradicionale, ndikimin e fortë të narrativeve konservatore dhe antigjinore, si dhe mungesën e edukimit sistematik për gjininë, orientimin seksual dhe të drejtat e njeriut. Për më tepër, kur institucionet nuk reagojnë qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme ndaj diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, kjo dërgon mesazh se qëndrime të tilla janë të pranueshme shoqërisht.
Dukshmëria është një hap i rëndësishëm drejt ndryshimit shoqëror, por në vetvete nuk mjafton. Ajo duhet të shoqërohet me vullnet të qartë politik, politika arsimore dhe mbrojtje aktive institucionale, për të krijuar një mjedis ku personat LGBTQI+ mund të jetojnë pa frikë dhe diskriminim.”
Përtej debatit ligjor dhe institucional, realiteti shoqëror mbetet po aq shqetësues. Brenda vetëm një viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 230 raste të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Gjuha e urrejtjes vazhdon të mbetet një sfidë serioze, e drejtuar më së shpeshti kundër komuniteteve etnike dhe personave LGBTIQ+. Ngjarjet politike dhe proceset zgjedhore e rrisin më tej mundësinë e shfaqjes së përmbajtjeve të tilla. Sipas raportit të Komitetit të Helsinkit, pjesa më e madhe e rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës shqetësuese janë regjistruar në rrjetet sociale, në formë komentesh ose postimesh në profile personale.





